Amerikanët druajnë se vendi i tyre po rrëshqet në kaos, pas përpjekjes për të vrarë ish-presidentin Donald Trump, zbuloi një sondazh i kryer nga agjencia e lajmeve, Reuters, dhe kompania e kërkimeve, Ipsos.
Trump, i cili do të garojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër presidentit aktual, Joe Biden, u plagos gjatë një tubimi në Pensilvani, më 13 korrik.
Sondazhi dyditor zbuloi se ai gëzon një epërsi të lehtë në mesin e votuesve të regjistruar, me 43 për qind mbështetje, kundrejt Bidenit me 41 për qind.
Por, 80 për qind e votuesve – përfshirë demokratë dhe republikanë – thanë se pajtohen me deklaratën se “vendi po del jashtë kontrollit”.
Rreth 84 për qind e tyre shprehën shqetësim se ekstremistët do të kryejnë akte dhune edhe pas zgjedhjeve.
Kjo shifër është në rritje nëse krahasohet me rezultatin e një sondazhi që Reuters dhe Ipsos kryen në muajin maj dhe që tregoi se 74 për qind e votuesve e kishin këtë shqetësim.
Frika nga dhuna politike në SHBA u rrit pasi disa mbështetës të Trumpit sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat Trump u mposht nga Biden.
Katër persona humbën jetën në ditën e sulmit, ndërsa një oficer i policisë që luftoi kundër rebelëve, vdiq të nesërmen./rel
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë