Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, pas takimit të sotëm ku raportoi drejtori i AKI-së, ka deklaruar se gjendja e sigurisë në Republikën e Kosovës në përgjithësi është stabile. Sipas saj, situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme, megjithëse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme.
“Kërcënimi nga Serbia dhe nga organizatat paramilitare dhe terroriste, anëtarët e të cilave po strehohen dhe po trajnohen në Serbi vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente, së fundmi grupi terrorist është duke i kryer ushtrimet në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe të Kralevës”, ka theksuar Musliu në një konferencë për media pas raportimit të drejtorit të AKI-së.
Sipas saj grupi paramilitar dhe terrorist i udhëhequr nga Milan Radojçiq vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare, armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar.
“Në vazhdimësi janë duke planifikuar e diskutuar mundësitë për sulm. Udhëheqësi i grupit Milan Radojçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë, me zyrtarë të lartë shtetëror si dhe është duke mbajtur kontaktin me disa grupe dhe organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, ka shtuar ajo.
Musliu ka bërë të ditur se ushtria serbe ka rritur praninë e patrullave dhe dronëve në zonën përreth kufirit në veri të Kosovës, sidomos nga Zubin Potoku deri në Leposaviq.
“Rritja e kapaciteteve ushtarake, përqendrimi i forcave serbe afër kufirit me Kosovën si dhe stërvitjet ushtarake të anëtarëve të formacioneve terroriste janë tregues se Serbia vazhdon të ketë synime agresive ndaj Kosovës”, ka nënvizuar ajo.
Avancimi i projektit nacionalist serb “Bota serbe’ vlerësohet se do të ketë ndikim në sigurinë rajonale.
“Kuvendi i mbajtur më 8 qershor 2024 në Serbi, i cili u mbështet nga Rusia, shpërfaqi tendencat destabilizuese të rajonit, me qëllim të arritjes së objektivave të caktuara që ndërlidhen me pretendimet territoriale të Serbisë ndaj fqinjëve si dhe prolongimin e proceseve integruese sipas interesave të Rusisë”, është shprehur tutje Musliu.
Megjithatë, ajo theksoi se Republika e Kosovës dhe institucionet e saj demokratike mbesin të përkushtuara për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe të kontribuojnë për sigurinë nacionale dhe rajonale dhe më gjerë në bashkëpunim me partnerët rajonalë dhe ata strategjikë.
Maqedonci falënderon ushtarët amerikanë për punën e tyre për...
LDK njofton se “Turneu i Ndryshimit” do të mbahe...
Ukraina do t’i kërkojë NATO-s ftesë për anëtarësim javën e a...
Costa: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, forcon paqe...
Gruda: Nuk kemi pasur forcë më herët për ta rrëzuar këtë qev...
Incidenti me flamurin, Siljanovska: Mosrespektimi i simbolev...