Google ADS

Ballkani eliminohet nga kualifikimet e Champions League

19:35 | 16 Korrik 2024
D.H

Ballkani është eliminuar nga rrethi kualifikues i Ligës së Kampionëve pasi pësuan humbje pas ekzekutimit të penalltive (6-5), aty ku më të saktë u treguan futbollistët e Santa Colomas.

Ndeshja në kohë të rregullt dhe vazhdime kishte përfunduar me rezultat të përgjithshëm 2-2, andaj u nevojitën penalltitë për ta vendosur fituesin.

Rasti i parë serioz për gol i takoi pikërisht ekipit të Ilir Dajës, të cilët në minutën e shtatë rrezikuan seriozisht me anë të Sunday Adetunjit i cili ballë për ballë portierit dështoi të shënojë.

Në minutën e 18-të, Ballkani pati një tjetër rast të mirë shënimi ku sërish në skenë doli Adetunji i cili një krosim në zonë nuk arriti ta konkretizojë në gol duke gjuajtur me kokë jashtë portës.

Suharekasit morën një goditje të rëndë në minutën e 36-të kur gjyqtari i takimit Oleksiy Derevinskyi e ndëshkoi me karton të kuq Adetunjin duke i lënë ata me një lojtar më pak në fushë.

Ballkani pati një mundësi të artë me Walid Hamidin i cili në minutën e 68-të pas një aksioni të bukur individual iu afrua golit, por gjuajtja e tij ishte e dobët.

Therandasit pësuan gol krejt në fund të takimit, ku pas ekzekutimit të rivënies këndore Egzon Sinani shënoi në rrjetën e portës së tij për 1-0.

Ballkani pësoi sërish në minutën e 102-të kur Franco Ezequiel i mysafirëve shfrytëzoi një huti të mbrojtjes duke realizuar për 2-0.

Walid Hamidi riktheu sërish shpresat e therandasve duke shënuar në minutën e 108-të për 2-1 dhe duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2-2.

Në vazhdime nuk pati raste të mira shënimi dhe u nevojit ekzekutimi i penalltive për ta vendosur fituesin, aty ku Santa Coloma ishin më të saktë duke siguruar kalimin tutje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme