Temperaturat “përvëluese” , qytetarët kërkojnë ndihmë në QKMF

16:09 | 16 Korrik 2024
R J

Temperaturat “përvëluese” po mbizotërojnë në Kosovë gjatë muajit korrik.

Si pasojë e tyre, shumë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Kështu bën të ditur për Arbresh.info, Kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare, Valdet Hashani.

Nga numri i gjithmbarshëm i pacientëve që vijnë për vizitë mjekësore në QKMF, Hashani tha se ka një ngritje te numri i pacientëve që vijnë për shkak të temperaturave të larta.

Ai tha se deri në 15 % prej tyre janë si pasojë e temperaturave të larta.

“Realisht këtu kemi një rritje, 10-15% për shkak se janë disa kategori qoftë fëmijët ose personat me probleme kronike të cilat i kanë, për shkak edhe të dëmtimeve të imunitetit, apo për shkak të sëmundjeve, qofshin ato kancerogjene ose të tjera, ose edhe personat të cilët janë të moshuar. “, u shpreh ai.

Në këtë përqindje të pacientëve, pacientët janë më shumë fëmijët, personat e moshuar si dhe ata me sëmundje kronike.

Ai tregoi edhe simptomat e paraqitura te pacientët.

Në javën e parë të rritjes së temperaturave, ka pasur edhe rritje të numrit të pacientëve.

Kohëzgjatja e simptomave varet nga ekspozimi në temperature të larta.

“Kemi persona që punojnë në kohë më ta gjatë, kjo simptomatologji kërkon edhe disa ditë për me u hjekë, mirëpo në përgjithësi, pas trajtimit ose marrjes së ndihmës së parë që marrin në institucionet tona shëndetësore në veçanti, marrjes së këshillave që i marrin që të mos dalin në ambiente të hapura, ne veçanti në kohën që është bërë tani si klishe, ora 10:00 deri në orën 16:00 ose 17:00, ose në veçanti, në ora 11:00-16:00”, u shpreh Hashani.

Hashani bën të ditur se nuk ka pasur raste në Qendrat e Mjekësisë Familjare që është referuar në institucione të tjera si Emergjenca në QKUK.

Në fund, Hashani dha edhe disa nga rekomandimet e tij për mbrojtje nga temperaturat e larta duke theksuar konsumimin e mjaftueshëm të lëngjeve.

Sipas parashikimeve të fundit, moti do të ndryshojë, ku nga dita e premte pritet që temperaturat të zbresin./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme