“Do të ketë pasoja serioze”, Gjuha Shqipe drejtim pak i preferuar për studime

12:18 | 16 Korrik 2024
A Z

Pak i preferuar po del të jetë programi i Gjuhës Shqipe dhe ai i Letërsisë në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Vetëm për vitin akademik 2023/24 janë regjistruar 20 studentë në drejtimin e Gjuhës Shqipe ndërkaq në Letërsinë Shqipe janë regjistruar vetëm 5 studentë.

Me qëllim promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të shkencave të albanistikës, me vëmendje të veçantë programet e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë Shqipe brenda Fakultetit të Filologjisë, muaj më parë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në kuadër të kësaj Marrëveshje, MAShTI për herë të parë do të ofrojë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në programet Bachelor dhe Master në degët Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë të UP-së. Shuma e bursës është 1 mijë euro në vit për student.

Interesimi për mësimin e gjuhës amtare po shihet edhe në rezultatet e Testit të Arritshmerisë, ku nxënësit kanë treguar më shumë sukses në gjuhën angleze se në atë amtare.

Sipas rezultateve të publikuara nga MAShTI, arritshmëria në Gjuhën Shqipe është 56.9%, në Gjuhën Angleze është 69.3%.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani në një prononcim për Arbresh.info ka thënë se interesimi i ulët për regjistrim në programin e Gjuhës dhe Letërsisë do të ketë pasoja serioze në aspektin afatgjatë.

Kjo pasi që siç thotë ai, “jemi duke u larguar nga gjuha dhe traditat tona kombëtare, e që gjeneratat e reja do të përballen edhe më shumë me këtë lloj të asimilimit të heshtur.”

Ndërkaq iniciativën e Qeverisë për nxitjen e studentëve, po e sheh si një vendim të qëlluar.

“Mendojë se është metodë e mirë por që Qeveria duhet të ndërmarrë edhe masat tjera përkrahëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke mos anashkaluar edhe gjuhën e kulturën e komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë.”, tha Osmani.

E mbi dallimin në suksesin e treguar në Gjuhë Angleze dhe atë shqipe, Osmani vlerësoi se kjo vjen si pasojë e anashkalimit për një kohë të gjatë të gjuhës dhe kulturës shqiptare.

“Kjo shpërfaqë në masë të konsiderueshme problemet e grumbulluara në sistemin tonë arsimor sepse për kohë të gjatë gjuha dhe kultura shqiptare është anashkaluar dhe nuk i është dhënë rëndësia që i takon.”, theksoi Osmani.

 Këtë mosinteresim të studimit të gjuhës amtare po e sheh si të normale dhe të pritur, ish-zëvendësministri i Arsimit dhe njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj.

 Ai në një prononcim për Arbresh.info tha se në Kosovë në përgjithësi ka rënie për drejtime shoqërore, “pjesërisht për shkak të mbiprodhimit gjatë disa dekadave, përfshirë për fushën e arsimit.”

E për këtë, ai lë në faj edhe Fakultetin për mosndërmarrjen e masave për përshtatjen e programeve në përputhje me nevojat e tregut.

“Unë mendoj se Fakulteti duhet ta dekonstruktojë situatën dhe të fillojë me pyetjet: Çka mund të bëjmë ne në fushën e gjuhës shqipe për popullatën e Kosovës dhe për shkollat? Çka kanë bërë të tjerët nëpër botë në rrethana të ngjashme? A ka praktika të mira të sjelljes së universiteteve në rajon a më gjerë në situata të këtilla? “, u shpreh ai.

Ndërkaq, vendimin e Qeverisë për ndarjen e bursës, ai e vlerëson si diçka në rregull.

Por, problem në këtë kontekst ai e sheh mungesën e një planifikimi dhe qasjeje sistematike.

“Gjithsesi se duhet ruajtur këto drejtime, por a ka nevojë të ruhet pesë a gjashtë drejtime të tilla në më shumë institucione publike? A mund të bëhet një profilizim? A mund të konsolidohen programet e disa institucioneve duke i kontribuar një programi në nivel nacional? Për sa programe a departamente të tilla ka nevojë Kosova? Sa duhet të ruhen nga shteti e sa duhet të kujdesen vet duke u bërë atraktiv në treg, e të tjera?”, tha ai.

Ai rekomandoi edhe disa forma të tjera të inkurajimit.

“Duhet menduar edhe për forma të tjera të inkurajimit duke ofruar bursa për hulumtime, projekte, bashkëpunim me shkolla e institucione kulturore (biblioteka, muze) e institucione shtetërore me qëllim të pasurimit vlerësimit të nevojave dhe pasurimit të ofertës.”, shtoi Rexhaj.

Lidhur me rezultatet në Gjuhën Shqipe dhe atë angleze, Rexhaj tha se krahasimi nuk është i mirë.

Sipas tij, secila prej tyre e ka nivelin e vet.

“Në Gjuhën Shqipe kërkohet më shumë dije për katër deri pesë orë në javë se që kërkohet për gjuhën angleze për 1-3 orë në javë. Krahasimi nuk është me vend aspak. Gjuha Angleze mësohet (nga klasa e parë ose e tretë) dhe testohet si gjuhë e huaj, ndërsa gjuha shqipe mësohet (që nga lindja) dhe testohet si gjuhë amtare. Secila i ka rezultatet e pritshme dhe kërkesat e veta.”, tha mes të tjerash ai.

Ndryshe, Universiteti i Prishtinës tashmë ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore Baçelor për vitin akademik 2024/25.

“Gjithsej 5285 studentë të rregullt do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e UP-së për këtë vit akademik, në afatin e parë të konkursit”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Në 14 fakultete, UP ofron qindra programe studimore, ndërkaq aplikimet do të jenë të hapura deri më 16 korrik.

UP ka premtuar se do të ofrojë “një mjedis akademik të pasur dhe mundësi të shumta për zhvillim profesional dhe personal”./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme