Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të flamurit shtetëror te ekipi Olimpik i Republikës së Kosovës, para nisjes së tyre për në Paris, në kuadër të Lojërave Olimpike të Parisit 2024, të cilat mbahen nga 26 korriku deri më 11 gusht.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti vlerësoi ekipin e sportistëve. “Të gjithë ju së bashku, përfaqësoni ëndrrat dhe shpresat e Kosovës. Ju jeni shembulli i asaj që mund të arrihet me punë të palodhshme, disiplinë dhe besim në vetvete. Rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por e kemi dëshmuar se kur jemi bashkë jemi të gatshëm të përballojmë çdo sfidë që na del përpara”, tha kryeministri Kurti.
Duke iu uruar sportistëve tanë shumë suksese dhe fat në çdo garë, kryeministri tha se sot, ndërsa ju dorëzojmë flamurin, bashkë me të ju bartim krenarinë, besimin dhe mbështetjen e pakusht të gjithë popullit të Kosovës. “Ju, i keni të gjitha, andaj kur të dilni në fushën e lojës në Paris, të dini që të gjithë ne jemi me ju. E gjithë Kosova është me ju. Mos harroni se çdo hap që bëni, çdo fitore që arrini, është një fitore për të gjithë ne”, tha në fund të fjalës kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj, znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari Olivier Guerot, ambasador i Francës në Republikën e Kosovës,
I nderuari z. Ismet Krasniqi, President i Komitetit Olimpik të Kosovës,
E nderuara znj. Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të shteteve mike në vendin tonë,
Shumë i dashur ekip Olimpik,
Të nderuar sportistë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Kënaqësi e veçantë e imja që sonte jam mes jush në këtë moment historik, gjersa përgatitemi për nisjen drejt Parisit për të shënuar pjesëmarrjen e tretë të Kosovës në Lojërat Olimpike.
Këtu para nesh kemi nëntë sportistë të cilët do të na përfaqësojnë në Paris. Gjashtë prej jush keni arritur normat olimpike, e që kjo, direkt ju bënë kandidat për medalje.
Një super ekip me super sportistë!
Të gjithë e njohim. Majlinda Kelmendin – të artën tonë të parë – e cila për herë të parë na përfaqëson në Olimpiadë në rolin e trajneres. Me Disin dhe Norën, dy kampionet olimpike në fuqi, me Laurën, e cila aktualisht është e treta e botës në kategorinë e saj, si dhe me Lorianën dhe Akilin – të cilët janë pjesë e pandashme e suksesit sportiv të shtetit tonë në xhudo.
Arritjet e secilit prej jush, për të cilat na kanë lakmi shumë shtete anembanë botës, janë rezultat i pasionit dhe i devocionit të kryemjeshtrit tonë, Driton Kuka.
Toni, tri medaljet e arta Olimpike janë një standard i lartë që ju e keni vendosur, e për të cilën ne të gjithë jemi përjetësisht krenar. Mirëpo, në Paris do të ndjeheni sikur në shtëpi. Përveç që xhudo zë vend të veçantë në Francë njësoj sikurse tek ne, njëkohësisht në dekadën e fundit, keni fituar plot 15 medalje, prej tyre 8 të arta, në garën prestigjioze të Grand Slamit të Parisit në xhudo. Andaj, sukseset tona në kryeqytetin francez, le t’i vazhdojmë edhe në këtë Olimpiadë.
Përtej xhudos, sportistja e vetme jo-xhudiste me normë olimpike, e cila me vendosmëri është kualifikuar për Paris, është boksierja jonë e hekurt, Donjeta Sadiku. Rrugëtimi i saj në karrierën sportive reflekton guximin e individit, për të pasur ëndrra të mëdha dhe konsistencën në punë për të arritur rezultate.
Të gjithë ju së bashku, përfaqësoni ëndrrat dhe shpresat e Kosovës. Ju jeni shembulli i asaj që mund të arrihet me punë të palodhshme, disiplinë dhe besim në vetvete.
Rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por e kemi dëshmuar se kur jemi bashkë, jemi të gatshëm të përballojmë çdo sfidë që na del përpara.
Për tre sportistët e tjerë që do të marrin pjesë me ftesa, gjithashtu pjesëmarrja juaj në Lojërat Olimpike tregon përkushtimin tuaj për ta përfaqësuar Kosovën. Jemi të sigurt se do të bëni më të mirën tuaj.
Sot, ndërsa ju dorëzojmë flamurin, bashkë me të ju bartim krenarinë, besimin dhe mbështetjen e pakusht të gjithë popullit të Kosovës. Përfaqësimi i Republikës sonë është përgjegjësi që kërkon përqëndrim profesional dhe atdhedashuri njerëzore. Ju, i keni të gjitha, andaj kur të dilni në fushën e lojës në Paris, të dini që të gjithë ne jemi me ju. E gjithë Kosova është me ju. Mos harroni se çdo hap që bëni, çdo fitore që arrini, është një fitore për të gjithë ne.
Ju uroj shumë suksese dhe fat në çdo garë secilës e secilit prej jush.
Faleminderit shumë dhe na priftë e mbara në Paris 2024!
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...