Osmani: Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit, i shërbejnë paqes

20:33 | 15 Korrik 2024
E.G

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, organizoi sot ceremoninë e dorëzimit të flamurit për ekipin olimpik të Kosovës. Ajo tha se Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit dhe i shërbejnë unitetit e paqes dhe respektit të ndërsjellë.

Osmani tutje shtoi se në prag të Lojërave Olimpike Paris 2024, të gjithë së bashku, ashtu siç është sentimenti i popullit tonë në raport me kampionët e vendit tonë janë tubuar për t’ia dorëzuar garuesve tanë flamurin e Republikë së Kosovës, si bekim për sukses në Paris.

“Lojërat Olimpike kapërcejnë kufijtë e sportit dhe i shërbejnë unitetit e paqes dhe respektit të ndërsjellë. Në një botë sikur kjo e sotmja e cila shpesh ndahet nga parimet, lojërat olimpike nxjerrin në pah të përbashkëtat tona, respektivisht aftësitë tona për të bashkuar nëpërmjet konkurrencës miqësore dhe respektit të ndërsjellë”, deklaroi Osmani në ceremoninë e dorëzimit të flamurit ekipit olimpik të Kosovës.

Ekipi Olimpik do të udhëtojë këtë muaj në Paris të Francës, ku do të zhvillohet edicioni i radhës i Lojërave Olimpike. Këto lojëra do të fillojnë më 26 korrik dhe do të vijojnë deri më 11 gusht.

Të ngjashme