Presidenti Joe Biden përdori peshën që ka Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë për t’u bërë thirrje të dielën amerikanëve që të bashkohen dhe të shmangin dhunën politike, pas një përpjekjeje për të vrarë rivalin e tij politik, Donald Trump. Ish-Presidenti, bëri thirrje të ngjashme dhe siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell kjo është një shenjë se si zoti Biden ashtu edhe zoti Trump, u druhen tensioneve përpara zgjedhjeve të nëntorit. Trump ka mbërritur ndërkohë në Miluoki të Viskosinit, për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të republikanëve, ku pritet të marrë dhe emërimin si kandidati zyrtar i partisë për president.
Përpjekja për të vrarë ish-presidentin Trump shënoi momentin që ndryshoi garën presidenciale amerikane të vitit 2024 dhe ndoshta edhe rrjedhën e historisë.
Zoti Trump u ngrit në këmbë disa sekonda pasi një person i armatosur tentoi t’i merrte jetën në një tubim të shtunën – por siç e pranoi edhe Presidenti Joe Biden nga Zyra Ovale, në një fjalim drejtuar kombit, për Amerikën sulmi nuk ishte vetëm një plagë në trup. Ai bëri thirrje për unitet dhe u kujtoi amerikanëve se fuqia e tyre vjen përmes votës dhe jo plumbave.
“Miqtë e mi amerikanë, dua t’ju flas sonte mbi nevojën për uljen e temperaturës politike e të kujtojmë, se megjithëse mund të mos pajtohemi, ne nuk jemi armiq. Ne jemi fqinj, jemi miq, bashkëpunëtorë, qytetarë dhe më e rëndësishmja, ne jemi amerikanë. Ne duhet të qëndrojmë së bashku. Sulmi me armë ndaj Donald Trumpit në një tubim në Pensilvani na kujton të gjithëve se duhet të bëjmë një hap pas, të bëjmë një bilanc se ku ndodhemi dhe si të bëjmë përpara prej këtij momenti”, tha ai.
Ish-presidenti Trump ka bërë thirrje gjithashtu për unitet pas sulmit me armë ndaj tij. Ai mbërriti të dielën në Miluaki të shtetit të Viskonsinit, për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar republikane, ku pritet të emërohet si kandidati presidencial i partisë.
Analistët thonë se qëndrimi sfidues i zotit Trump, pas përballjes së tij me vdekjen, do të ketë pasoja.
“Do të ketë një ndikim të madh në këto zgjedhje dhe në politikën tonë më gjerësisht. Historia ka treguar se gjasat janë që të shohim një afrim më të madh rreth tij, ku ata që janë mbështetës të tij do të jenë edhe më shumë të tillë. Por do të ketë ndikim edhe tek ata që janë kundër dhunës politike, tek ata që e dinë se sa e rrezikshme është bërë retorika jonë politike e që shohin këtë manifestim të dhunës të shfaqet para syve tanë”, thotë Casey Burgat i Universitetit George Washington.
Mbështetësit e zotit Trump thonë se ngjarja e rëndë mund t’i ketë mësuar kombit diçka të rëndësishme – atë se institucionet kanë më shumë rëndësi sesa individët që i udhëheqin ato.
“Ishte një ditë vërtet e tmerrshme për demokracinë amerikane, por në shumë mënyra ishte gjithashtu një ditë shumë e mirë. Pavarësisht nëse e mbështet ose jo Presidentin Trump, mendoj se ajo që duhet të mësojnë të gjithë nga ajo ngjarje, është se demokracia amerikane është shumë më e madhe dhe shumë më e qëndrueshme sesa shumë njerëz mendojnë”, thotë Alex Grey, ish-zyrtar i administratës Trump.
Disa analistë u druhen tensioneve të reja ndërsa dy partitë kryesore mbajnë konventat kombëtare.
“E kam thënë edhe diku tjetër se ka shumë gjasa të shohim dhunë politike në të gjithë spektrin në këtë cikël zgjedhor. Natyrisht, kjo ishte ngjarja më e rëndë deri tani. Por nuk mendoj se ka ndonjë arsye për të besuar se ky do të jetë rasti i fundit i dhunës që do të shohim”, thotë Jacob Ware, i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Si presidenti Biden ashtu edhe ish-presidenti Trump po përdorin platformat e tyre për t’u bërë thirrje amerikanëve që të shmangin dhunën e të bashkohen.
Por pikëpyetja që shtrohet për amerikanët, të cilët duhet të zgjedhin mes të dyve se kush do të udhëheqë kombin, është se rreth cilit duhet të bashkohen?/VOA
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...