Zgjatja e punimeve në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, shqetëson qytetarët

22:22 | 14 Korrik 2024
R J

Punimet e filluara në vitin 2009 në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë po vazhdojnë ende. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, punimet po avancojnë çdo ditë e më shumë, në njërën nga rrugët më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ani pse konsiderohet njëra nga rrugët më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, punimet në këtë rrugë nuk kanë përfunduar tash e 15 vite.

Vazhdimi i punimeve në këtë rrugë, filloi me nënshkrimin e kontratës së re më 8 shkurt të këtij viti. Udhëheqësi i njësisë për implementimin e kontratës në Ministrinë e Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Gjynejt Mustafa, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën, shpalosi detaje rreth procesit të punës.

“Për momentin punimet janë duke u realizuar me intensitet të shtuar dhe pritet që shumë shpejt segmenti i parë prej 5 km të asfaltohet dhe të hapet për qarkullimin e trafikut. Punimet sipas planit dinamik pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm. Nuk ka pengesa për momentin, të gjitha çështjet janë adresuar me kohë.”

Punimet e zgjatura, shkaktojnë shqetësim te qytetarët që e frekuentojnë këtë rrugë çdo ditë. Ata shpresojnë se punimet do të përfundojnë deri në vitin 2025.

“Unë udhëtoj çdo ditë nga Mitrovica në Prishtinë, punimet e rrugës po vazhdojnë ende,  tash ka edhe shume kolona, për të gjithë ata që udhëtojnë e dinë se sa i mundimshëm është udhëtimi e sidomos pasdite, por, shpresoj që këto punime kanë për të përfunduar deri në vitin 2025”, tha ai.

Kostoja e përgjithshme e këtij projekti është rreth 25 milionë euro./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme