Sveçla dënon sulmin ndaj pastiçerisë në veri: Nuk zmbrapsemi, s’do t’i frikësojnë as qytetarët tanë

13:28 | 14 Korrik 2024
E.H

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dënuar sulmin me koktej molotovi në pastiçerinë “Sharri” në Mitrovicën e veriut, ku ditë më parë kishte qëndruar bashkë me ish-kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirin.

Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka kërkuar nga organet përkatëse që të identifikojnë sa më shpejtë kryerësit e këtij akti si dhe të sillen para drejtësisë, përcjell Arbresh.info.

Lexo edhe:

Sulmohet me koktej molotovi një lokal në veri që Sveçla e kishte vizituar

Postimi i plotë:

Prej tri vitesh angazhohemi pa reshtur në shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në veriun e vendit tonë që më parë ka qenë zonë e kontrolluar nga bandat kriminale të Serbisë e njollë e zezë për vendin tonë.

Lufta jonë e pandalshme ndaj grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese me ç’rast shumë qytetarë tanë atje kanë filluar të krijojnë mundësitë për zhvillimin e tyre.

Ky fakt duket se i pengon edhe disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri me ç’rast në mëngjesin e sotëm jam njoftuar se është sulmuar me koktej molotovi pastiçeria “Sharr” në Mitrovicën e Veriut.

Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.

Sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin asesi dhe jam i bindur se nuk do ti frikësojnë e ndalin as qytetarët tanë.

Rendi e ligji do të triumfojnë me çdo kusht mbi terrorin./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme