Kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, i ka bërë thirrje të premten presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të përballet me “të vërtetën” dhe “të ndalojë së minuari” sovranitetin e shtetit të Bosnjës.
Beqiroviq tha se “do të ishte më mirë që Vuçiq të merrej me çështjet e brendshme të Serbisë, sesa të përzihej në punët e brendshme të Bosnje e Hercegovinës”.
Më herët të premten, Vuçiq e akuzoi Sarajevën se “synon ta zbatojë zhdukjen” e entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, dhe “ta zhysë Serbinë në konflikt me NATO-n”.
Lideri serb i bëri këto komente pas një fjalimi të Beqiroviqit në përkujtimin e 29-vjetorit të gjenocidit në Potoçari më 11 korrik, kur ushtria serbe e Bosnjës vrau më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Në fjalimin e tij në Potoëari më 11 korrik, Beqiroviq, ndër të tjera, foli edhe për kërcënimet e Republikës Sërpska për t’u shkëputur nga Bosnja.
Beqiroviq i hodhi poshtë pretendimet e Vuçiqit dhe tha se Serbia, përveç lidhjeve të veçanta dhe paralele që ka me Republikën Sërpska, është e detyruar ta respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës.
“Shtrohet pyetja se çfarë do të bënte presidenti i Serbisë nëse, për shembull, një nga shtetet fqinje të Serbisë do të miratonte një deklaratë prej 49 pikash me Vojvodinën dhe përmbajtja e asaj deklarate nuk do të respektonte sovranitetin e Serbisë”, tha Beqiroviqi.
Ai tha se paqja dhe bashkëpunimi i barabartë në rajon “kërcënohen nga politika e madhe shtetërore e regjimit në Beograd”.
“Qëllimet madhështore të Vuçiqit janë të qarta. Pasi ai organizoi ‘Kuvendin gjithëserb’ në Beograd, më 8 qershor të këtij viti, dhe votoi Deklaratën e Serbisë së Madhe, askush nuk ka dyshim se çfarë po bën realisht presidenti i Serbisë. Realizimi i deklaratës së Vuçiqit do të nënkuptonte zhdukjen e shtetit të Bosnje e Hercegovinës dhe, për këtë arsye në interes të ruajtjes së paqes, ai duhet të ndalet”, tha Beqiroviq.
“Kuvendi gjithëserb” u mbajt më 8 qershor në Beograd, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe të entitetit serb, Republika Sërpska.
Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.
Më 10 qershor, Ambasada amerikane në Sarajevë e cilësoi Deklaratën si të rrezikshme, dhe me plot gabime./rel
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...
Agim Ademi dhe Franco Foda optimistë për ndeshjen me Islandë...
Parlamenti ukrainas anulon seancën nga rreziku i sulmeve ajr...