Samiti i NATO-s përfundon të enjten në Uashington me presidentin amerikan që kërkon të mbledhë aleatët dhe ndërkombëtarët dhe t’i dërgojë një mesazh mbështetjeje Ukrainës dhe një paralajmërim të ashpër presidentit rus Putin.
Udhëheqësit e NATO-s vendosin një theks të qartë në ndihmën e Kievit dhe kërcënimin në rritje që paraqet Rusia për Europën.
Takimi po zhvillohet në një nga periudhat më të vështira në mandatin e presidentit amerikan Joe Biden, i cili është nën presion në rritje për të hequr dorë nga gara presidenciale.
81-vjeçari Biden do të japë një konferencë për shtyp sot të enjten, në margjinat e samitit të NATO-s, i cili është cilësuar gjerësisht si një tjetër “provë” për presidentin amerikan.
Gazetarët pritet të vënë sërish në pikëpyetje aftësinë e tij për të qëndruar në garën për president përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Udhëheqësit europianë, nga ana e tyre, kanë frikë se zgjedhjet presidenciale në nëntor do të çojnë në një ndryshim në qëndrimin e Uashingtonit dhe një reduktim të mbështetjes së Uashingtonit për Ukrainën dhe NATO-n.
Kandidati 78-vjeçar republikan, Donald Trump ka shprehur kritika për ndihmën për Ukrainën dhe për mbështetjen e SHBA-së për aleatët.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të mbajë gjithashtu një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg të enjten, ndërsa të mërkurën u takua me ligjvënës republikanë dhe demokratë në Kapitolin e SHBA-së.
Udhëheqësi ukrainas, i cili është i etur për të forcuar lidhjet e tij me ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë politike, u takua me krerët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe anëtarët e komisioneve që merren me mbrojtjen, shpenzimet, diplomacinë dhe sigurinë kombëtare.
Ai u tha gazetarëve se e ftoi Mike Johnson, udhëheqësin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të vizitojë Kievin.
Paralajmërim për Putinin
Në një paralajmërim të qartë për presidentin rus Vladimir Putin, Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se do të fillojnë vendosjen e raketave me rreze më të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026, armët më të fuqishme amerikane që do të vendosen në kontinentin europian që nga Lufta e Ftohtë .
Në një deklaratë të NATO-s thuhet gjithashtu se aleatët do të japin të paktën 40 miliardë euro ndihmë ushtarake vitin e ardhshëm.
Anëtarët e NATO-s gjithashtu u zotuan të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën “në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit të plotë euroatlantik, duke përfshirë anëtarësimin në NATO”.
Biden argumentoi se NATO është sot “më e fortë se kurrë” dhe se Ukraina mund dhe do ta ndalojë Putinin “me mbështetjen tonë të plotë kolektive”.
Presidenti amerikan shtroi një darkë për aleatët dhe partnerët e NATO-s në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, duke theksuar rolin e tyre në sigurimin e “lirisë, sigurisë dhe demokracisë” për të gjithë qytetarët e shteteve anëtare.
Ai u takua gjithashtu me kryeministrin e ri britanik Keir Starmer, kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.
Ndërsa Biden u përpoq të mblidhte aleatët dhe votuesit demokratë, zyrtarë të lartë europianë u takuan me një këshilltar të lartë të Trumpit për politikën e jashtme.
Të mërkurën, ish-presidenti amerikan tha se nuk do të largonte SHBA-në nga NATO, por përsëriti se do të kërkonte që anëtarët të paguajnë më shumë.
“Unë thjesht dua që ata të paguajnë detyrimet e tyre. Ne po mbrojmë Europën dhe ata po na shfrytëzojnë shumë keq”, tha ai.
Zelensky, në një fjalim të martën, u bëri thirrje liderëve politikë amerikanë që të mos presin rezultatin e zgjedhjeve amerikane dhe të ndihmojnë Ukrainën.
Ai bëri thirrje gjithashtu që të reduktohen kufizimet në përdorimin e armëve amerikane./abcnews.al
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...