NATO i jep premtimin Ukrainës: Anëtarësimi në aleancë, rrugë pa kthim

13:00 | 11 Korrik 2024
K.B

Sekretari i përgjithshëm i NATO-S, Jens Stoltenberg, njoftoi këtë të enjte integrimin e mëtejshëm të Ukrainës në këtë aleancë ushtarake.

Kjo vjen si rezultat i premtimit te hershëm që anëtarët e NATO-s bënë për krijimin e një njësie të re për të koordinuar ndihmën ushtarake për shtetin e Ukrainës.

“Ndërsa Ukraina vazhdon këtë punë jetike, ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit të plotë euroatlantik, duke përfshirë anëtarësimin në NATO”, tha sekretari i përgjithshëm në deklaratë.

Agresioni i vazhdueshëm ruso-ukrainas ishte në krye të agjendës në samitin e NATO-s, i cili përkoi edhe me 75-vjetorin e themelimit të kësaj aleance. Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, konfirmoi gjithashtu se avionët F-16, që Amerika ka prodhuar për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës, janë në proces të transferimit drejt saj dhe do të përdoren këtë verë.

Sipas tij, progresi konkret i Ukrainës, i kombinuar me ndihmat që ky shtet po merr nga aleanca, përbëjnë një urë ndihmëse për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

I pranishëm në samit ishte edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili pati takime me disa lider botërorë, përfshirë këtu edhe kryeministrin e ri të Mbretërise së Bashkuar. Ky i fundit i ka bërë të ditur homologut të tij se pavarësisht se ka një qeveri të re në Londër, nuk do të ketë asnjë ndryshim në mbështetjen për përpjekjet luftarake të Ukrainës./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme