Në kërkim të energjisë bërthamore, Serbia në udhëkryq mes Kinës, Rusisë e Perëndimit

08:39 | 11 Korrik 2024
R J

Serbia po punon për t’i dhënë fund ndalimit shumëvjeçar të ndërtimit të centraleve bërthamore në territorin e vet, e shtyrë nga nevoja për shumëllojshmëri në sektorin e energjisë dhe për t’u larguar nga varësia ndaj gazit të lirë rus.

Disa ministra serbë njoftuan më 10 korrik se vendi po shqyrton heqjen e ndalesës 35-vjeçare të epokës jugosllave për reaktorët bërthamorë. Ata thanë se është hapur një debat publik për ndryshimin e politikës së kamotshme të Beogradit për energjinë.

Nëse kjo ndodh, atëherë Qeveria serbe mund të zhytet në çështje gjeopolitike që përfshijnë energjinë bërthamore në Evropën Lindore, ku vendet po kërkojnë të largohet nga varësia ndaj Rusisë – e cila e ka mbizotëruar sektorin e energjisë bërthamore – dhe t’i shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit me vendet si, Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po synon ta përdorë realitetin e ri, krijuar nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, dhe ta shtrijë strategjinë e njëjtë edhe për të ardhmen bërthamore të vendit të cilët e ka përdorur me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian karshi Rusisë dhe Kinës në lidhje me një sërë çështjesh së politikës së jashtme dhe sigurisë.

“Edhe pse Serbia nuk ka qenë e ashpër me Rusinë sikurse ka qenë Bashkimi Evropian, ajo po synon ta ruajë një baraspeshë me Perëndimin”, tha për Radion Evropa e Lirë, Stefan Vladisavljev, drejtor i programit në Fondacionin BFPE nga Beogradi.

“Kjo nënkupton që Serbia të largohet nga Rusia për projekte të mëdha strategjike, por mbetet të shihet se ku do ta shpjerë kjo saktësisht Beogradin”, shtoi ai.

Para fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Serbia varej nga fuqia e lirë punëtore vendëse dhe nga gazi i liruar rus, për t’i bërë industritë e veta prodhuese dhe minierat më atraktive dhe më konkurruese për investitorët. Por, sanksionet e Perëndimit dhe trazimi i tregut kanë bërë që çmimi i gazit rus të rritet.

Kjo ka bërë që Vuçiqi të jetë në udhëkryq, të zgjedhë mes nevojës për ta përmirësuar sigurinë energjetike të Serbisë duke shtuar centralet bërthamore, dhe vëmendjes gjeopolitike që sjell vendi me të cilin Beogradi vendos të bashkëpunojë.

Zyrtarët serbë i kanë shqyrtuar mundësitë vazhdimisht, pasi janë takuar tashmë në prill me kompaninë britanike Rolls-Royce, si dhe Electricite de France (EDF), kompaninë shtetërore franceze, ku e nënshkruan një memorandum “për vlerësimin e potencialit për zhvillimin e programit bërthamor civil në Serbi”.

Në qershor, Ministria e Energjisë e Serbisë tha se po i “vendos gur themelet” për vlerësimin e partneritet me EFD-në.

EDF-ja nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë në pyetjen se çfarë nënkupton bashkëpunimi me Serbinë, por, ndërkohë, Kina është futur në valle.

Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës (CNNC) mund të furnizojë me reaktorë të vegjël modularë (SMRS), për të cilët ithtarët thonë se janë më pak të vështirë për t’u ndërtuar dhe mund t’i përshtaten më mirë një vendi si Serbia, e cila ka nevojë për centrale bërthamore më modeste.

Një opsion tjetër është blerja e aksioneve në centralin bërthamor Paks 2, i cili është në ndërtim e sipër ende. Ky central është një projekt i përbashkët ruso-hungarez i nisur më 2014, që ndodhet rreth 100 kilometra në jugperëndim të Budapestit, i cili mund të dërgojë rrymë në jug të Serbisë.

Ministria serbe e Energjisë tha për REL-in se është duke i shqyrtuar të gjitha partneritetet e mundshme.

“Pas ndryshimit të kornizës legjislative, Serbia do ta analizojë potencialin për bashkëpunim në nivel rajonal dhe ndërkombëtar me vende të cilat kanë program të zhvilluar bërthamor, me Kinën, Francën, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Japoninë dhe vendet e tjera të rëndësishme”, tha ajo.

Tabela e re bërthamore

Derisa Rusia e ka humbur mbizotërimin e saj në eksportimin e naftës dhe gazit prej se e nisi luftën në Ukrainë më 2022, ajo vazhdon të jetë lojtari më i madh në botë në furnizimin me karburant bërthamor, pasi përbën 40 për qind të gjithë tregut global. Rusia ka gjithashtu një monopol të plotë në prodhimin e karburantit të avancuar bërthamor që do të nevojitet për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme të reaktorëve bërthamorë.

Për vendet me reaktorë të prodhuar nga Rusia, kjo varësi është edhe më e thellë, me gjigantin shtetëror të energjisë bërthamore të Rusisë, Rosatom, që operon 18 reaktorë në të gjithë BE-në, pjesa më e madhe e tyre në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kjo varësi deri më tani ka lënë Rosatomin dhe materialet bërthamore ruse jashtë listës së sanksioneve të miratuara në Bruksel, por Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe ofruesit e rëndësishëm perëndimorë të karburantit bërthamor, kanë njoftuar planet për ta rritur kapacitetin e tyre të uraniumit të pasuruar dhe për të ndërtuar reaktorë në të gjithë Evropën.

Në këtë kontekst, Beogradi duhet të marrë vendim dhe të planifikojë për implikimet afatgjate. Tani për tani, Serbia e siguron gati 70 për qind të rrymës nga thëngjilli, por është zotuar se do ta tërheqë nga përdorimi atë plotësisht deri në vitin 2050.

“Është shumë e rëndësishme se nga kush e merr një vend reaktorin e vet”, tha për REL-in Jennifer Gordon, drejtoreshë e Iniciativës së Këshillit Atlantik për Politikë të Energjisë Bërthamore. “Marrëdhënia blerës-shitës mund të jetë marrëdhënie 100-vjeçare, kur ke parasysh ndërtimin e reaktorit, jetëgjatësinë e tij dhe nevojën për ta nxjerrë nga përdorimi atë”.

Për Beogradin, vendimi bërthamor mund të jetë edhe një shenjë paralajmëruese se kah po e çon Vuçiqi vendin e tij.

Derisa Serbia mbetet neutrale, Vuçiqi ngul këmbë se synimi i tij është anëtarësimi në BE, por bisedimet kanë shënuar shumë pak përparim në 12 vjetët e fundit, midis shqetësimeve nga BE-ja për sundimin e ligjit dhe statusin e Kosovës.

Serbia ka marrëdhënie tradicionalisht të ngushta me Moskën, por Beogradi ka kërkuar ta largojë veten nga Rusia prej se nisi lufta në Ukrainë.

Vuçiqi ka ndërtuar gjithashtu lidhje të forta me Kinën, e cila ka investuar shumë në vendin ballkanik dhe shpesh kryeson sondazhet e opinionit serb si fuqia e huaj më popullore. Serbia, së bashku me Hungarinë, ishin gjithashtu dy vendet e vetme evropiane që lideri kinez, Xi Jinping, i vizitoi në maj pas vizitës së tij shtetërore në Francë.

“Vizita e Xisë hapi kufij të rinj për bashkëpunim,” tha Vladisavljev. “Kina është tashmë një lidere në burimet e rinovueshme të energjisë dhe po kërkon mënyra të reja për të zgjeruar praninë e saj. Për Beogradin, mënyra më e mirë për t’i shfrytëzuar lidhjet e tij me Kinën është të fokusohet në fusha që Serbia nuk mund t’i bëjë e vetme”.

Vuçiqi i ka forcuar gjithashtu lidhjet me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili e ka bërë zhvillimin e energjisë bërthamore në të gjithë Evropën dhe përkrahjen e firmave evropiane pjesë kyçe të politikës së tij të “autonomisë strategjike”, e cila kërkon të riformësojë rendin politik në të gjithë kontinentin.

Një këndvështrim nga Beogradi

Derisa EDF-ja e Francës – dikur prodhuesi më i madh i energjisë bërthamore në botë – duket se është afër marrëveshjes me Beogradin, Serbia po i vlerëson ende edhe mundësitë e tjera.

Ministria serbe e Energjisë tha për REL-in se do ta bëjë një vlerësim së shpejti për atë se a ta zgjedhë një reaktor tradicional apo një SMR. Vuçiq tha në mars në një samit në Bruksel për energjinë se “ne jemi të interesuar t’i kemi së paku katër reaktorë të vegjël për zëvendësimin e 1.200 megavateve prodhim”.

Kina dhe Rusia janë duke garuar se cila të dalë e para në fushën e SMR, por në treg është duke përparuar edhe një grumbull firmash amerikane dhe evropiane.

Një pengesë e madhe për arritjen e një marrëveshjeje për SMR mund të jetë çmimi.

Në mars, Vuçiq tha se çmimi për katër SMR mund të arrijë në 7.5 miliardë euro dhe do të kërkonte financim nga jashtë, sepse ai “nuk e di se si do të financohej”.

Një opsion më pak i kushtueshëm është blerja e aksioneve në fabrikën e Hungarisë Paks 2, e cila është një ide që Vuçiqi e diskutoi për herë të parë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në vitin 2021.

Blerja e aksioneve në reaktorin bërthamor të Hungarisë është e leverdishme për Serbisë, pasi do të shmangte nevojën për të ndërtuar një reaktor bërthamor në tokën e saj, si dhe përballjen me ndonjë reagim të mundshëm publik.

Por, projekti hungarez i drejtuar nga Rosatomi i Rusisë është shtyrë dhe ka tejkaluar buxhetin. Derisa zyrtarët hungarezë thonë se Rusia ende synon ta dërgojë reaktorin kryesor, shefi ekzekutiv i Paks 2, Gergely Jakli, i tha gazetës financiare hungareze, Portfolio, në maj, se përfshirja e Rusisë është gjithnjë e më e shtrenjtë dhe se ai po konsideron të sjellë investitorë të tjerë për të përfunduar projektin.

Kina është paraqitur si një opsion i mundshëm, veçanërisht pasi Budapesti dhe Pekini nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për energjinë bërthamore gjatë vizitës së Xisë në maj, dhe Kina po kërkon mundësi për të shfaqur ekspertizën e saj bërthamore jashtë vendit.

Framatome është gjithashtu nënkontraktor në Paks 2 dhe, derisa kompanitë bërthamore kineze dhe franceze kanë bashkëpunuar në të kaluarën, përkeqësimi i marrëdhënieve midis Pekinit dhe Perëndimit së bashku me rezistencën në rritje për të lejuar firmat kineze të ndërtojnë infrastrukturë strategjike në Evropë, mund të prishin një bashkëpunim të tillë.

Kjo bën që Serbia t’i baraspeshojë dimensionet teknike, financiare dhe strategjike për secilën ofertë, derisa e shtyn përpara synimin për energji bërthamore.

“Kjo ka të bëjë me një program bërthamor civil”, tha Gordon. “Por, cilindo opsion që e zgjedh Serbia, do të ketë ndikim gjeopolitik”./REL

Të ngjashme