Google ADS

Vuçeviç: Deklaratat e Kurtit për bazat ushtarake janë “fantazmagori”

15:18 | 10 Korrik 2024
R J

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, i cilësoi si “fantazmagori” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Serbia po zhvillon trajnime ushtarake në bazat që i ka pranë kufirit me Kosovën.

Kurti, në një intervistë për rrjetin CNN të martën, kërkoi nga Perëndimi që t’i bëjë presion Serbisë për t’i larguar ato baza.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçeviç tha se bazat e Ushtrisë së Serbisë janë të vendosura prej kohësh në “vijën administrative” – siç i referohet Serbia kufirit me Kosovën – dhe se me vendosjen e këtyre postblloqeve, Serbia nuk shkel asnjë marrëveshje ndërkombëtare.

“Fakti që Kurti, për të satën herë, tenton të krijojë një dramë mediatike, se gjoja e ashtuquajtura Kosovë është e kërcënuar, nuk është gjë tjetër veçse edhe një mjegull për sponsorët e tij perëndimorë”, tha Vuçeviç.

Ai shtoi se në Kosovë është i rrezikuar “vetëm populli serb”, të cilit “Kurti ia mohon të drejtat elementare të njeriut”.

“Të vetmit që kërcënohen në ‘Kosovë dhe Metohi’ janë serbët, dhe kjo për shkak të dhunës së vazhdueshme, provokimeve, veprimeve destruktive dhe thurjeve mediatike të bëra nga vetë Kurti”, tha Vuçeviç, pa përmendur ndonjë provë që do t’i mbështesë këto pretendime.

Një ditë më herët, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se Serbia mund ta përsërisë “agresionin terrorist” në Kosovë, nëse nuk ndëshkohet për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

Kosova bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, edhe pse ajo e mohoi.

Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, tha se është vetë përgjegjës.

Ai besohet se është i lirë në Serbi.

Kurti ka kërkuar dorëzimin e tij si kusht për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë me Serbinë, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk e ka pranuar këtë kusht./euronews.al/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme