Vdekja e 26-vjeçarit që u ther me thikë në Prizren, nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit

15:06 | 9 Korrik 2024
E.G

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dy të dyshuarit në Prizren, pas vdekjes së 26-vjeçarit, i cili humbi jetën pasi u ther me thikë.

Sipas njoftimit, masa e paraburgimit u caktua nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Ajser Skenderi, shkruan Arbresh.info.

Të pandehurit Enes Enver Ay, masa e paraburgimit mund t’i zgjasë deri më 7 gusht 2024.

“Për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e një personi), nga neni 186 par. 5 lidhur me par. 3 pika 3.2, lidhur me par. 2 pika 2.1 të KP-së, dhe ndaj të pandehurit H.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, mosdhënia e ndihmës nga neni 188 par. 4 (vepra penale ka rezultuar me vdekjen e një personi të rrezikuar) dhe veprën penale moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre, nga neni 378 par. 1 pika 1.3 të KP-së”, thuhet në njoftim.

Gjykata në njoftim thekson se me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

“I pandehuri: E.A., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:50, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës (femurit) së djathtë të tij dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e marra pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku edhe ndërron jetë si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara”, thuhet në njoftim.

Me këtë, Enes Enver Ay , dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor (që ka rezultuar me vdekjen e një personi)”.

“I pandehuri: H.B., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:55, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij të markës ‘……….. me targa të regjistrit: ……….., duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me anë të mjetit të rrezikshëm nga i pandehuri E.A:, nuk e dërgon të njëjtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, por e nxjerrë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes ‘’Bazhdërhane’’ në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes ‘’Ortakoll’’, ku si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara viktima A.Th., ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë”, njofton Gjykata.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës”.

“Me datë, kohë dhe vend të përshkruar si më lartë, duke qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor dhe nuk e njofton organin kompetent për një fakt të tillë, në atë mënyrë që pasi ka qenë në dijeni si dëshmitar okular në kryerjen e veprës penale të përshkruar si më lartë, si dhe për emrin e kryesit të veprës penale, megjithatë refuzon që ta njoftojë policinë apo organin tjetër kompetent lidhur kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit të veprës penale”, njofton tutje Gjykata.

Me këtë, H.B dyshohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Kurse, a do të argumentohen këto fakte, thuhet se do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Por, sipas Gjykatës, me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrezikshmërinë dhe pasojat që janë shkaktuar nga veprat penale për të cilat ngarkohen të pandehurit.

“Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit duke vlerësuar se i pandehuri E.A:, nuk është shtetas i Kosovës, dhe pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe prezenca para institucioneve të drejtësisë është siguruar përmes Policisë pas hetimeve të ndërmarra, kurse i pandehuri H:B., Gjykata ka marrë parasysh faktin se i njëjti ka qëndruar i heshtur dhe i fshehur për Gjykatën rezulton se me lënien në liri mund të fshihen apo ipen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale. Po ashtu duke marrë parasysh karakteristikat personale të të dyshuarit H.B., i cili rezulton kryerës i më shumë veprave penale të natyrës së ngjashme, nga këto Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm me qëllim të parandalimit të përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, 26 vjeçari, Auron Thaqi, dyshohet se është therë për vdekje me thikë dhe më pas është hedhur nga vetura.

I njëjti është gjetur i shtrirë në rrugë dhe sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se disa persona pasi e kanë sulmuar, e kanë hedhur atë në rrugë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

I riu ka vdekur pas disa orësh në QKUK si pasojë e plagëve të marra./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

E therën me thikë dhe e hodhën nga vetura, çfarë dihet për vrasjen e 26 vjeçarit në Prizren?

Të ngjashme