Google ADS

SHKK: Faton Hajrizit i kishin mbetur edhe shtatë vite tjera burgim, zyrtarët korrektues janë pezulluar nga puna

12:41 | 8 Korrik 2024
E.G

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) sot ka bërë disa sqarime për arratisjen e Faton Hajrizit duke treguar se ai ishe larguar edhe disa herë nga institucionet korrektuese.

Në njoftimin për media thuhet se Hajrizi ka tregaur sjellje të mira viteve të fundit, shkruan Arbresh.info.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak. Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues”, thuhet në njoftim.

SHKK njofton se i dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit.

Më tej, Shërbimi Korrektues i Kosovës pohon se sipas rregullores për trajtimin e të burgosurve, të dënuarit mund të vendosen në një institucion të tipit të hapur nëse plotësojnë kriteret e mëposhtme:

– Janë shfrytëzues të benificioneve;

– Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim;

– Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite.

Në komunikatë theksohet se i dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj.

“Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale”, vijon njoftimi.

Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate., ndërsa, zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.

Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat.

Ndryshe, Faton Hajrizi i cili të shtunën më 6 korrik, u arratis nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, është shfaqur mbrëmë në rrjetin social “TikTok”.

Me një gjysmë maskë në fytyrë, Hajrizi ka treguar arsyet se përse është arratisur nga burgu në Smrekonicë, derisa ka shtuar se “nuk jam tu e fsheh fytyrën, por e kam pas një lëndim në faqe derisa jam arratisë nga Smrekonica”.

Hajrizi tutje ka shtuar se ditëve në vijim do të hyj live në “TikTok” dhe do të flas më gjerësisht.

Ai thotë se nuk është ashtu siç e pasqyron policia.

Hajrizi shton se do të kthehet për ta mbajtur pjesën tjetër të dënimit, por se kur do të ndodh kjo do të vendos ai./Arbresh.info/

LEXO EDHE:

U arratis nga burgu, Faton Hajrizi shfaqet në “TikTok”: Nuk jam ai që policia më pasqyron

Të ngjashme