Presidenti kinez Xi Jinping, u bëri thirrje fuqive botërore të ndihmojnë Rusinë dhe Ukrainën të rifillojnë negociatat e drejtpërdrejta. Sipas televizionit shtetëror kinez CCTV, ai i bëri këto komente të hënën gjatë një takimi me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, i cili zhvilloi një vizitë të papritur në Kinë pas udhëtimeve të ngjashme javën e kaluar në Rusi dhe Ukrainë, për të diskutuar mundësitë e një zgjidhjeje paqësore për luftën në Ukrainë.
Sipas kanalit CCTV, kryeministri Orban vlerësoi “nismat konstruktive dhe të rëndësishme” të Kinës për arritjen e paqes dhe e përshkroi Pekinin si një forcë stabilizuese mes turbullirave globale.
Përveç Rusisë dhe Ukrainës, fundi i luftës “varet nga vendimi i tre fuqive botërore, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Kinës”, shkroi kryeministri Orban në një postim në Facebook, në të cilin shihet duke shtrënguar duart me presidentin Xi.
Kryeministri u takua me presidentin Xi vetëm dy muaj më parë, kur ai priti udhëheqësin kinez në Hungari, si pjesë e një turneu evropian në tre vende, që përfshinte ndalesa në Francë dhe Serbi, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian apo e NATO-s.
Hungaria nën udhëheqjen e zotit Orban ka krijuar lidhje thelbësore politike dhe ekonomike me Kinën. Vendi evropian ka një numër objektesh kineze të prodhimit të baterive për makinat elektrike dhe në dhjetor njoftoi se gjiganti kinez i prodhimit të makinave të tilla BYD, do të hapë fabrikën e tij të parë evropiane të prodhimit të këtyre makinave në jug të vendit.
“Misioni i Paqes 3.0”, shkroi zoti Orban mbi një fotografi të postuar herët të hënën në platformën e mediave sociale X, ku shihet ai teksa kishte zbritur nga avioni i tij në Pekin. Ai u përshëndet nga zëvendësministri kinez i Punëve të Jashtme Hua Chunying dhe zyrtarë të tjerë.
Vizita e tij e paparalajmëruar pasoi udhëtimet e ngjashme javën e kaluar në Moskë dhe Kiev, ku ai propozoi që Ukraina të shqyrtojë mundësinë e një armëpushimi të menjëhershëm me Rusinë.
Vizita e tij në Moskë, u dënua nga Kievi dhe udhëheqësit evropianë.
“Numri i vendeve që mund të bisedojnë me të dyja palët ndërluftuese po zvogëlohet”, tha kryeministri Orban. “Hungaria po bëhet ngadalë i vetmi vend në Evropë që mund të flasë me të gjithë”.
Hungaria mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në fillim të korrikut dhe presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi që zoti Orban shkoi në Moskë si një përfaqësues i lartë i bllokut. Disa zyrtarë të lartë evropianë e hodhën poshtë një gjë të tillë dhe thanë se kryeministri Orban nuk kishte mandat për asgjë tjetër përveç diskutimeve rreth marrëdhënieve dypalëshe.
Kryeministri hungarez, i cili shihet gjerësisht si udhëheqësi që ka marrëdhëniet më të ngrohta me Putinin mes drejtuesve të BE-së, ka bllokuar, vonuar ose zbutur vazhdimisht përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Ai ka argumentuar për një kohë të gjatë për një ndërprerje të armiqësive në Ukrainë, por pa treguar se çfarë mund të thoshte kjo për tërësinë tokësore të vendit ose sigurinë e ardhshme të tij.
Ky qëndrim ka nervozuar aleatët e Hungarisë në BE dhe NATO, të cilët i kanë denoncuar veprimet e Rusisë si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim për sigurinë e vendeve në Evropën Lindore./voa/
Krasniqi: Që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atyre u duhet...
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për po...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, KEK shpreson në sanimin e shpejtë...
Kryetari i Zubin Potokut: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ka d...