Google ADS

AGK-ja thellësisht e shqetësuar me presionet politike në RTK

18:49 | 7 Korrik 2024
E.H

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) bënë të ditur se ka ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e muajve të fundit në RTK, që kanë rezultuar të dielën me largimin e Shkumbin Ahmetxhekajt nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar në një letër të organizatave ndërkombëtare të lirisë së medies.

Ahmetxhekaj, një gazetar shumëvjeçar në Transmetuesin Publik ka treguar për “presion politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”.

“Bordi i RTK-së, duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohet presionit politik në vendim-marrjen e vet, dhe nëse detyrimi për largimin e Ahmetxhekajt, ka ardhur si pasojë e kësaj. Bordi aktual, që ka miratuar dorëheqjen e Ahmetxhekajt, më herët kishte emëruar në postin e Drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvallën, një ish-aktivist dhe financues i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje. Qeveria e Kosovës, nëpërmjet eksponentëve të saj, duke përfshirë edhe deputetë, disa herë edhe publikisht e ka shfaqur tendencën për kontroll partiak të RTK-së, që është praktikë e papranueshme”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja, bën thirrje për adresimin e duhur të ankesave për mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit në Radio Kosova 1.

“Në vend të presionit politik nëpërmjet Bordit dhe përgjysmimit të buxhetit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përkujdesen që të sigurojnë funksionimin e papenguar financiar të Transmetuesit Publik, dhe të gjejnë zgjidhje për pronën e saj. AGK-ja, e çmon rolin krucial që Transmetuesi Publik luan në funksionimin demokratik të vendit, si shtyllë e rëndësishme për lirinë e medies në Kosovë. Gazetarët, kameramanët dhe punëtorët e tjerë të RTK-së duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në interest të publikut, pa asnjë lloj presioni politik apo financiar”, thuhet tutje në reagim.

Sipas AGK-së, Kosova këtë vit ka shënuar rënien më të madhe të viteve të fundit, kur është renditur për 19 vende më poshtë në Indeksin e Lirisë së Medies nga Reporterët Pa Kufij./Arbresh.info

Lexo edhe:

Dorëhiqet Ahmetxhekaj, Zana Spahiu u.d. Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme