Begaj dekretoi 4 gushtin për zgjedhjet në Himarë

16:49 | 5 Korrik 2024
R J

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Himarë.

Këshilli i Ministrave njoftoi sot zyrtarisht Presidentin Begaj për vakancën e krijuar në Bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga  Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Bajram Begaj thirri në konsultë Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gatishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.

Pas kësaj konsulte, Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për Bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme