Sekretari i Zyrës së Kosovës në Serbi merr vërejtje nga Ministria e Jashtme

20:04 | 4 Korrik 2024
E.G

Sekretari i Zyrës së Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka deklaruar se ka marrë vërejtje me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sipas tij, këtë vërejtje e ka marrë për reagimet dhe deklarimet e vazhdueshme “në mbrojtje të interesit publik, qytetarë dhe para së gjithash në mbrojtje të interesit shtetëror”, shkruan Arbresh.info.

“Më duhet ta them që nuk kam pritur që duke qenë i zëshëm kundër veprimeve të Serbisë, do të vlerësohem apo avancohem në ndonjë mënyrë, dhe as që ka qenë qëllim i imi diçka e tillë, por më duhet ta them dhe ri-përserisë, që edhe sikur masa korigjuese ndaj meje të ishte vet suspendimi dhe largimi nga MPJD, në asnjë rast, nuk ushqej asnjë dilemë, që në të gjitha komunikimet e mia pararake, unë të veproja njësoj, përsëri”, ka shkruar Haxholli.

Ai ka thënë se përderisa në Serbi bëhet garë se kush pronocohet më shumë dhe më ashpër kundër Republikës së Kosovës, pa asnjë argument dhe pa asnjë të drejtë, me mirëkuptim do t’i kërkoja hirearkisë së MPJD-së, porositësit dhe shqiptuesit, se ku, kur dhe në cilin aspekt, deklarimet e tij kanë shkuar ndesh me mandatin e Zyrës dhe me prioritetet e MPJD-së.

Më tej, ai ka thënë se në mungesë të një arsyetimi eventual përmbajtësor, vërejtjen ndaj tij e dokumente/dëshmi shoqëruese, postimet e tij, do t’i mbaj si referencë dhe rekomandim, e kësisoj nuk do t’i ankimojë juridikisht.

“Për vërejtjen si informatë zyrtare që nuk prek dimensionin e politikës së jashtme, por vetëm personin tim, besoj që ja vlen që dikush t’i gëzohet idesë, që heshtja në diplomaci ka ndonjë vlerë”, u shpreh ai.

Haxholli ka falënderuar MPJD-në duke thënë që së paku përmes vërejtjes njohën punën e tij, pasi që sipas tij në një kulturë ndëshkuese dhe përjashtuese, do të befasohej vetëm nga një mirënjohje a vlerësim./Arbresh.info/

Të ngjashme