Google ADS

“Vazhdojmë të luftojmë për drejtësi”, Haxhiu takon dy të mbijetuara të Masakrës së Poklekut

20:40 | 3 Korrik 2024
E.G

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim të mbijetuarat e Masakrës së Pokelkut, Elhame Muçolli dhe Teuta Elshani.

Haxhiu tha se Muçollit forcat serbe ia kanë vrarë nënën, tri motrat dhe vëllanë, kurse Elshanit ia vranë babanë, nënën dhe katër vëllezërit, shkruan Arbresh.info.

“Me dhimbje të thellë dhe krenari të pashuar kujtuam periudhën e luftës dhe më të dashurit për të cilët me ngulm kërkojnë drejtësi. Për masakrën e Poklekut ende asnjë aktakuzë dhe asnjë i dënuar”, ka shkruar ministrja Haxhiu në Facebook.

“Në Poklek u masakruan pleq dhe fëmijë. Nga Teuta, sot pranova një nga librat e shumtë të shkrimtarit babit të saj Ymer Elshani, “Kërpudha Magjike”, një magji për çdo fëmijë”, shtoi ajo.

Më tej, Haxhiu bëri të ditur se Muçollin e Elshanin i informoi për hapat që i ka bërë qeveria në drejtim të adresimit të krimeve të luftës dhe angazhimin në kuadër të drejtësisë tranzicionale.

“Në kujtim të sakrificës së tyre, ne vazhdojmë të luftojmë për drejtësi dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për brezat që do të vijnë”,u shpreh mes të tjerash Haxhiu./Arbresh.info/

Të ngjashme