Google ADS

Begaj: Bashkë me Nënë Terezën, Ismail Kadare u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë

13:08 | 3 Korrik 2024
K.B

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot homazhe në nder të shkrimtarit të shquar shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të lamtumirës së fundit të organizuar në Tiranë.

Begaj i shoqëruar nga Zonja e Parë, vendosi kurorën me lule pranë arkëmortit të mbuluar me flamurin e Shqipërisë.

Begaj shënoi në librin e ngushëllimeve vlerësimet për “Nderin e Kombit”.

Mesazhi i Begajt:

“Shqipëria dhe shqiptarët përcjellin sot për në panteonin e përjetësisë gjeniun e tyre të letrave, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.

Falë talentit të rrallë dhe ndërgjegjes patriotike, Ismail Kadare fitoi për së gjalli statusin e privilegjuar të emancipuesit shoqëror dhe atij identitar.

Novator në stil, si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne.

Ismail Kadare do të përkujtohet gjithmonë me nderim si promovues, si askush tjetër, i krenarisë kombëtare, veçanërisht i orientimit evropian të kombit shqiptar.
Lamtumirë, i madhi ynë!”./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme