Google ADS

Ambasadori i BE-së viziton Gjakovën, vlerëson përpjekjet e komunës për përkrahjen e komuniteteve jo-shumicë

13:02 | 3 Korrik 2024
E.H

Sot, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, vizitoi komunën e Gjakovës në kuadër të vizitave të tij kontaktues në disa komuna anembanë Kosovës.

Takimet i filloi me kryetarin Ardian Gjini për të diskutuar rreth çështjeve të qeverisjes lokale, planeve zhvillimore ekonomike dhe nismave për mbështetje të komunitetit, përcjell Arbresh.info.

Ambasadori Szunyog e uroi Gjinin për marrjen e çmimit “Kryetari më miqësor me komunitetin rom” për vitin 2022, duke vlerësuar përpjekjet e komunës për nxitjen e gjithëpërfshirjes dhe për përkrahjen e komuniteteve jo-shumicë.

Ai vlerësoi gjithashtu përkushtimin e kryetarit Gjini për barazinë gjinore, siç u pa përmes përfshirjes së stafit komunal në projektin e Instrumentit për Barazi Gjinore të financuar nga BE-ja dhe të zbatuar nga UN Women. Veç kësaj, ai shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të komunës ndaj strehimores “Shtëpia e Sigurt”, e cila luan një rol vendimtar në ndihmën ndaj viktimave të dhunës në familje.

Gjatë vizitës së tij në Gjakovë, ambasadori Szunyog vizitoi disa projekte të mbështetura nga BE-ja, duke përfshirë zgjerimin dhe rinovimin e ndërtesës komunale. Ky projekt, i mbështetur me 2.5 milionë euro nga fondet e BE-së, synon të modernizojë hapësirat e zyrave për ofrim më të mirë të shërbimeve komunale.

“Më tej, ambasadori Szunyog vizitoi bizneset e vogla lokale që kanë përfituar nga mbështetja e BE-së. Ai theksoi storjen e suksesit të ëmbëltores “Te Ensari”, një dyqan familjar i ngritur nga Vlora Kryeziu gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2021. I njohur për tortat e dasmave, ëmbëlsirat për festa dhe dekorimet e ngrënshme, dyqani është zgjeruar me ndihmën e BE-së, duke punësuar më shumë staf dhe duke tërhequr klientë si nga zonat lokale ashtu edhe nga ato fqinje. Kjo është ëmbëltorja e parë në lagje e themeluar nga një grua egjiptiane e Kosovës, duke shërbyer si një frymëzim për gratë e tjera ndërmarrëse të reja”, thuhet në njoftim.

Një tjetër ndalesë në itinerarin e ambasadorit rrobaqepësia e Valentina Karamonit, e mbështetur nga nismat e BE-së për rimëkëmbje pas COVID-it. Punëtoria prodhon shumëllojshmëri artikujsh veshjesh dhe ofron shërbime riparimi, pasi që u përshtat gjatë pandemisë për të prodhuar maska mbrojtëse për komunitetin lokal.

Mbështetja e BE-së ka përfshirë sigurimin e makinerive industriale të qepjes për të përmirësuar prodhimin cilësor. Biznesi i Karamonit jo vetëm që i përshtatet një klientele të larmishme, por ofron gjithashtu shërbime falas për familjet e cenueshme nga komunitetet egjiptiane dhe rome.

“Vizita e sotme nënvizon përkushtimin e BE-së për përmirësimin e mirëqenies ekonomike dhe kohezionit të komunitetit në Kosovë. Qoftë nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, qoftë nëpërmjet mbështetjes së bizneseve lokale si ato që vizitova sot, nismat e BE-së i fuqizojnë komunitetet dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm. Si donatori më i madh i Kosovës, BE-ja mbetet e palëkundur në forcimin e partneritetit tonë dhe avancimin e prosperitetit për të gjithë”, deklaroi ambasadori Szunyog./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme