Google ADS

Deklarata e 2 korrikut, Kurti: Akt rezistence karshi pushtetit të Beogradit

20:30 | 2 Korrik 2024
E.G

Kreyministri i vendit, Albin Kurti tha se Deklarata e 2 korrikut 1990, ishte një akt i artikulimit të vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës.

Sipas tij, me anë të kësaj deklarate shprehej vullneti për të qenë të barabartë, e jo më poshtë se njësitë e tjera federative në Jugosllavi, dhe, për të mos iu nënshtruar pushtetit arbitrar dhe hegjemon të Serbisë që tashmë kishte paralajmëruar gjenocidet ndaj joserbëve, shkruan Arbresh.info.

“Me guximin dhe vendosmërinë e treguar atë ditë, delegatët e Kuvendit të Kosovës bënë një akt rezistence karshi pushtetit të Beogradit dhe një akt politik afirmativ e të përgjegjshëm për popullin e tyre që e përfaqësonin.”, ka shkruar ai.

Ai kujtoi edhe goditjen e parë të regjimit komunist në Shqipëri.

“E në të njëjtën ditë, po më 2 korrik 1990, disa mijëra qytetarë shqiptarë u futën brenda oborreve dhe ndërtesave të ambasadave të huaja në Tiranë, duke u strehuar në arrati e sipër nga regjimi diktatorial komunist, 45 vjet pasi që ai ndodhej në pushtet në Shqipëri. Bilancet e mëvonshme, do të flisnin për më shumë se pesë mijë persona që ishin futur në ambasadat e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Çekosllovakisë. Prej tyre, mbi tre mijë u strehuan vetëm në ambasadën e Gjermanisë, prej ballkonit të së cilës, ambasadori gjerman Ëerner Daum e dha kumtin e vendimit të dhënies së lejes së tyre për udhëtim më 11 korrik. Pas njëmbëdhjetë ditësh qëndrimi brenda hapësirave të ambasadave të këtyre vendeve evropiane, mbi pesë mijë shqiptarë udhëtuan jashtë Shqipërisë përmes portit të Durrësit. Dorëzimi i regjimit të kohës para këtyre ngjarjeve, ishte shenja e parë e pranimit të fatit të tij që ishte edhe fati i kohës për regjimet komuniste atëbotë në Evropë.”, shkroi Kurti.

“Kjo ishte goditja e parë e fortë ndaj regjimit komunist në Shqipëri, në një seri goditjesh dhe revoltash që do të pasonin në përpjekjen e popullit shqiptar për ta shembur regjimin komunist të Enver Hoxhës të trashëguar nga Ramiz Alia. Ishte koha kur pas rënies së Murit të Berlinit, regjimet komuniste po binin në Evropën Lindore njëri pas tjetrit dhe kur Shqipëria ishte një nga vendet më të varfëra dhe më të izoluara në botë.”, shtoi kryeministri Kurti.

Postimi i plotë:

Plot 34 vjet nga sot, më 2 korrik 1990, ndërkohë që po kalonin nëpër periudha të vështira dhe të rrezikshme kapërcimesh të mëdha, shqiptarët si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në të njëjtën ditë, hynë në faza të reja për të ardhmen politike të tyre.

Atë ditë të hënë, në oborr jashtë godinës së Kuvendit të Kosovës në një mbledhje e cila zgjati vetëm 12 minuta, 114 delegatë e miratuan Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, me të cilën Kosova u shpall subjekt i barabartë në Jugosllavi. Kështu, parullës popullore “Kosova Republikë”, iu hap rruga që të merrte trajtë institucionale siç edhe ngjau dy muaj më pas më 7 shtator në Kaçanik.

Deklarata e 2 korrikut 1990, ishte një akt i artikulimit të vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës, me anë të të cilit shprehej vullneti për të qenë të barabartë, e jo më poshtë se njësitë e tjera federative në Jugosllavi, dhe, për të mos iu nënshtruar pushtetit arbitrar dhe hegjemon të Serbisë që tashmë kishte paralajmëruar gjenocidet ndaj joserbëve. Me guximin dhe vendosmërinë e treguar atë ditë, delegatët e Kuvendit të Kosovës bënë një akt rezistence karshi pushtetit të Beogradit dhe një akt politik afirmativ e të përgjegjshëm për popullin e tyre që e përfaqësonin.

E në të njëjtën ditë, po më 2 korrik 1990, disa mijëra qytetarë shqiptarë u futën brenda oborreve dhe ndërtesave të ambasadave të huaja në Tiranë, duke u strehuar në arrati e sipër nga regjimi diktatorial komunist, 45 vjet pasi që ai ndodhej në pushtet në Shqipëri. Bilancet e mëvonshme, do të flisnin për më shumë se pesë mijë persona që ishin futur në ambasadat e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Çekosllovakisë. Prej tyre, mbi tre mijë u strehuan vetëm në ambasadën e Gjermanisë, prej ballkonit të së cilës, ambasadori gjerman Ëerner Daum e dha kumtin e vendimit të dhënies së lejes së tyre për udhëtim më 11 korrik. Pas njëmbëdhjetë ditësh qëndrimi brenda hapësirave të ambasadave të këtyre vendeve evropiane, mbi pesë mijë shqiptarë udhëtuan jashtë Shqipërisë përmes portit të Durrësit. Dorëzimi i regjimit të kohës para këtyre ngjarjeve, ishte shenja e parë e pranimit të fatit të tij që ishte edhe fati i kohës për regjimet komuniste atëbotë në Evropë.

Kjo ishte goditja e parë e fortë ndaj regjimit komunist në Shqipëri, në një seri goditjesh dhe revoltash që do të pasonin në përpjekjen e popullit shqiptar për ta shembur regjimin komunist të Enver Hoxhës të trashëguar nga Ramiz Alia. Ishte koha kur pas rënies së Murit të Berlinit, regjimet komuniste po binin në Evropën Lindore njëri pas tjetrit dhe kur Shqipëria ishte një nga vendet më të varfëra dhe më të izoluara në botë.

Dekada e fundit e shekullit të XX, për shqiptarët në Ballkan do të ishte një periudhë e mbushur me trazira të dhunshme e konflikte të armatosura, me luftë e varfëri, dëbime e migrime dhe me sfida të tjera të përballimit të fatit të përbashkët politik të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë e në viset e tjera rrotull, për t’u shkëputur nga regjimet e vjetra dhe për t’u çliruar në rrugën e vështirë drejt demokracisë.

Duke i kujtuar ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Prishtinë dhe në Tiranë, si lëvizje politike në historinë moderne të shqiptarëve, për liri dhe për demokraci./Arbresh.info/

Të ngjashme