Belgjika ka përfunduar kryesimin gjashtëmujor të Bashkimit Evropian dhe këtë detyrë, nga 1 korriku, për gjashtë muaj, e ka marrë Hungaria.
Gjatë presidencës belge nuk ka ndodhur asnjë lëvizje për ta shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që është bërë në dhjetor të vitit 2022, në fund të presidencës së atëhershme çeke.
Kosova, aktualisht, është i vetmi vend evropian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Mbetet e vetmja nga dhjetë shtete të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së pa statusin formal të kandidates.
Pritjet që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të merrej parasysh, nuk janë realizuar.
Presidenca suedeze e BE-së në pjesën e parë të vitit 2023 ka dështuar ta bëjë këtë. Pas saj, presidencën e ka pasur Spanja – vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka dashur të ketë punë me dosjen e integrimit evropian të Kosovës. Pas Spanjës, as Belgjika nuk ka bërë ndonjë hap në këtë drejtim.
Arsyet më të shpeshta që janë përmendur nga vendet që kanë pasur presidencën, për mosshqyrtimin e aplikimit të Kosovës, janë lidhur me “mungesën e konsensusit të vendeve anëtare”.
Sipas procedurave të BE-së për procesin e zgjerimit, Këshilli i BE-së duhet ta shqyrtojë aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE dhe t’i japë mandat Komisionit Evropian për të analizuar nëse ai vend i përmbush apo jo kushtet për statusin e kandidatit.
Pasi Komisioni ta përpilojë mendimin dhe ta japë rekomandimin, vendimin për dhënien e statusit e marrin njëzëshëm vendet anëtare.
Kështu, me një shpejtësi të madhe, statusin e vendit kandidat e kanë marrë Ukraina dhe Moldavia, të cilat edhe i kanë nisur negociatat e anëtarësimit në BE, muajin e kaluar.
Statusin e vendit kandidat e ka edhe Gjeorgjia dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor – Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina – me përjashtim të Kosovës. Formalisht, status kandidati ka edhe Turqia.
Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, diplomatët e vendeve anëtare thonë se do të bëjnë përpjekje për të arritur konsensus në Këshill, pasi pesë prej vendeve anëtare – Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qiproja – nuk e njohin Kosovën si shtet.
Por, disa vende anëtare kanë sugjeruar se do të ishte mirë që, së paku, Këshilli t’i jepte mandat Komisionit Evropian për të analizuar se sa i përmbush Kosova kushtet për statusin e vendit kandidat.
Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë që ta kryejë pjesën e vet të punës, nëse një mandat të tillë e merr nga Këshilli. Por, nga ana e Këshillit nuk ka pasur ndonjë lëvizje.
Kjo, përveçse me mosnjohjen nga pesë vendet anëtare, është arsyetuar edhe me pritjet se çfarë do të ndodhë me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përparimi në dialog është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë për progres në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në BE. Kohëve të fundit nuk ka pasur progres në këtë dialog dhe kjo ka ndikuar që në mesin e vendeve anëtare, të mos ketë entuziazëm për ta avancuar rrugën drejt BE-së as të Kosovës e as të Serbisë”, ka thënë një diplomat evropian për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, sikur të kishte përparim në dialog, vendet anëtare do të bindeshin më lehtë edhe për vendimin rreth Kosovës.
Pas marrjes së presidencës së BE-së nga ana e Hungarisë, është paralajmëruar se ky vend do ta ketë prioritet edhe procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Hungaria e ka vënë këtë edhe në dokumentin ku përmenden prioritetet e udhëheqjes së saj me BE-në.
Budapesti ka aspirata që ta avancojë procesin e negociatave me ato vende kandidate që do të jenë të gatshme.
Diplomatët nga Hungaria citohen të kenë thënë se synojnë mbylljen e disa kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, si dhe hapjen e disa kapitujve me Serbinë, me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, ata kanë përmendur edhe mundësinë e avancimit të Bosnje e Hercegovinës.
Por, diplomatët kanë vërejtur se Hungaria nëpër takime nuk ka përmendur ndonjë veprim të mundshëm rreth Kosovës.
Diplomatët evropianë nënvizojnë se Qeveria e Hungarisë ka raporte të afërta me Serbinë dhe kjo ka ndikuar që sjellja e saj rreth Kosovës në BE dhe në disa organizata të tjera ndërkombëtare, të mos jetë aq miqësore sa ka qenë më herët.
Megjithatë, Hungaria i ka vazhduar kontaktet me Kosovën. I pyetur për pritjet nga presidenca hungareze e BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë javën e kaluar në Bruksel se “Hungaria e ka njohur Kosovën dhe duhet t’i jepet rasti për të parë në muajt e parë të presidencës se si do të veprojë”.
Hungaria, në anën tjetër, ka shprehur pritjet që gjatë kryesimit të saj me BE-në, të bëhen pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor nga paketa prej 6 miliardë eurosh e planit evropian për rritje ekonomike dhe reforma në rajon.
Mjetet nga kjo paketë për Kosovën dhe Serbinë janë të kushtëzuara, po ashtu, me angazhimin konstruktiv të tyre në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Hungaria planifikon që gjatë kryesimit të saj me BE-në, të organizojë edhe një samit të përbashkët të BE-së me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndonëse Hungaria ka raporte më të afërta me Serbinë në mesin e vendeve të rajonit, diplomatët në Bruksel nuk presin që të ketë probleme në raportet me vendet e tjera, pasi roli i vendit kryesues të BE-së është që të jetë një udhëheqës neutral i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe t’i lërë anash prioritetet e veta nacionale gjatë periudhës gjashtëmujore.
Katari pezullon rolin ndërmjetësues për luftën në Gazë
Burimi planifikon që pas BBVK të punojë kamarier
PSG merr një fitore solide në udhëtim ndaj Angers
Las Vegasi mbulohet nga bora, qytetarët thonë se nuk kanë pa...
NATO i përgjigjet vendosjes së trupave të Koresë së Veriut n...
“T’ua humbim buxhetin djemve”, Gresa ia tregon planin Sarës