Kë do të zgjedhë kandidati republikan për president, Donald Trump, në dyshen për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa afron mbajtja e kuvendit republikan muajin që vjen, zoti Trump nuk ka lënë të kuptohet se kë do të zgjedhë për garuar për postin e nënpresidentit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, ka zëra për një larmi kandidatësh të mundshëm që do ta zgjeronin bazën e mbështetjes për zotin Trump në zgjedhjet e nëntorit.
Kur bëhet fjalë për nënpresidentët, zonja Kamala Harris është zgjedhja e Presidentit Biden për votimet e nëntorit. Por në rastin e kandidatit republikan, Donald Trump, ende nuk ka një emër konkret. Kandidati republikan ka thënë se do ta shpallë zgjedhjen e tij në kuvendin republikan që mbahet në korrik.
Mes emrave të përfolur, secili prej tyre sjell mundësinë për ta zgjeruar bazën e mbështetësve të zotit Trump.
Guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum është ndër pretendentët kryesor. Një biznesmen i njohur, ai ndërtoi një kompani programesh kompjuterike financiare që u ble nga firma Microsoft në vitin 2001 për një shumë mbi një miliard dollarë.
Pasuria dhe lidhjet e zotit Burgum do të luanin një rol të rëndësishëm për të ndihmuar financimin e fushatës së republikanit Trump. Po ashtu, përvoja dhe njohuritë e tij në biznes përputhen me mënyrën se si zoti Trump e ka paraqitur veten para publikut amerikan.
Një tjetër pretendent i rëndësishëm është e Senatori Marco Rubio i Floridës. Ai ka një përvojë mbi 25 vjeçare në nivel lokal, shtetëror dhe kombëtar.
Aktualisht nënkryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin dhe anëtar i lartë i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, amerikano-kubanezi i lindur dhe rritur në Majami mund ta zgjerojnë bazën e mbështetësve të zotit Trump mes popullsisë hispanike.
Në mandatin e tij të parë, Senatori JD Vance nga Ohajo mendohet të jetë ndër pretendentët kryesorë për postin e nënpresidentit. Ish sipërmarrësi u bë i njohur me librin e publikuar në vitin 2016 “Hillbilly Elegy”, në të cilin hulumton rënien kulturore dhe social-ekonomike të shtresës së bardhë në zonat rurale.
Dikur kritik i ashpër i zotit Trump, ai e quajti atë “Hitleri i Amerikës”. Aktualisht, ai është mbështetës i fortë i zotit Trump, duke ngritur zërin në mbrojte të tij gjatë procesit gjyqësor në Nju Jork për paratë e heshtura.
Senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott, shihet gjithashtu si pretendent i mundshëm për zëvendëspresident. Nëse përzgjidhet, ai do të ishte republikani i parë me ngjyrë që kandidon në dyshen për Shtëpinë e Bardhë, duke zgjeruar mbështetjen e popullsisë me ngjyrë për zotin Trump. Karriera politike e zotit Scott filloi në nivel lokal në vitin 1995, dhe ka shërbyer në Senat që nga viti 2013.
Ligjvënësja nga Nju Jorku, Elise Stefanik, po ashtu shihet si një kandidaturë e mundshme. Ajo e konsideron veten si aleaten më të fortë të zotit Trump në Kongres, ku rënditet e katërta mes udhëheqjes republikane të Dhomës së Përfaqësuesve.
Por përzgjedhja për postin e zëvendëspresidentit nga republikani Trump nuk ka të bëjë vetëm me përshtatshmërinë e përparësive të tij, por edhe kush do të jetë në pozitën më të mirë për t’a çuar më tej këtë vizion, kur të mbarojë mandati prej katër vitesh i zotit Trump, nëse ai i fiton zgjedhjet e nëntorit./voa/
Pakistan: 82 njerëz të vrarë në tri ditë si pasojë e dhunës ...
“Krejt si unë po më duket”, Anisa shpreh pëlqim për Drilonin
Një tjetër ndryshim po vjen në versionet iOS dhe Android të ...
Shtetet në zhvillim thonë se 300 miliardë dollarët e ndarë p...
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...