Ish-presidenti Donald Trump nuk ka njoftuar ende se kush do të jetë kandidati për postin e nënpresidentit në zgjedhjet e këtij viti. Sipas njoftimeve në media dhe sinjaleve të dhëna nga ekipi i tij elektoral, zoti Trump mund të bëjë përzgjedhjen e kandidatit për nënpresident përpara mbajtjes së konventës republikane në fund të korrikut.
Megjithëse përzgjedhja mund të jetë edhe krejtësisht e papritur, nga njoftimet e bëra duket se procesi i përzgjedhjes është përqëndruar kryesisht tek pesë emra. Ndër tre të parët janë dy senatorë – Marco Rubio dhe J.D. Vance – si dhe një guvernator: Doug Burgum, i Dakotës së Veriut.
Dy emrat e tjerë për të cilët është thënë se gjithashtu po merren në konsideratë janë senatori Tim Scott dhe ligjvënësja Elise Stefanik.
Kandidatët e mundshëm vijnë me eksperienca të ndryshme dhe do të sillnin kontribute të ndryshme për të fuqizuar kandidatin e Partisë Republikane. Disa prej tyre kanë qenë tepër të ashpër me kritikat ndaj zotit Trump, por më pas i janë bashkuar linjës republikane në mbështetje të tij si kandidati i partisë në zgjedhjet e vitit 2016.
Përzgjedhja do të ketë rëndësi për fushatën elektorale të zotit Trump, thotë William A. Galston, studiues në Institutin Brookings.
“Kryesorja nga pikëpamja politike është si një lloj betimi i Hipokratit: Të mos shkaktohet dëm”, i tha zoti Galston Zërit të Amerikës. “Sepse nëse zgjedh dikë me mangësi që do të cilit shfaqeshin menjëherë pas njoftimit, atëherë do të paguhet një çmim i madh politik”.
Alternativat nga pikëpamja strategjike
Vendimet strategjike, krahas sigurimit paraprakisht që kandidati të mos dëmtojë fushatën, kanë ndihmuar në përzgjedhjen e kandidatëve për nënpresident në të kaluarën.
Ndonjëherë përzgjedhja shfrytëzohet për të plotësuar hendekun e krijuar mes dy fraksioneve të partisë së presidentit. Zoti Galston vë në dukje se krisja më e thellë në Partinë Republikane është mes mbështetësve të zotit Trump dhe votuesve që preferuan ish-guvernatoren Nikki Haley, gjatë zgjedhjeve paraprake. Me sa duket zoti Trump nuk ka folur me zonjën Haley, që kur ajo vendosi të dalë nga gara dhe nuk duket se ndreqja e kësaj ndasie është përparësi për ish-presidentin.
I lindur nga prindër emigrantë
Një ndër tre kandidatët kryesorë, senatori Rubio është emri më i mirënjohur në Uashington. Me profesion jurist, ai ka shërbyer në detyra publike në nivel bashkie, nivel shteti dhe nivel kombëtar për mbi 25 vite. Gjatë 13 viteve të fundit, ai ka shërbyer në Senat. Ai është nënkryetar i Komisionit për Çështjet e Zbulimit dhe ka shërbyer si kryetar i tij kur republikanët kishin shumicën në Senat.
Në moshën 53-vjeçare, zoti Rubio është i martuar dhe ka katër fëmijë. Ai është nga Majami dhe ka lindur në një familje emigrantësh, të cilët mbërritën në Shtetet e Bashkuara nga Kuba, përpara se atje të ndodhte revolucioni komunist. Zoti Rubio ka përgjithësisht qëndrime të forta për çështjet e sigurisë kombëtare.
Si kandidat në vitin 2016 gjatë zgjedhjeve paraprake presidenciale në Partinë Republikane, zoti Rubio ishte një kritik i hidhur i zotit Trump, të cilin e cilësonte si “një mashtrues” dhe një “turp”. Nga ajo kohë, ai është bërë tashmë një ndër mbështetësit më të fortë të ish-presidentit në Kongres.
“Rubio është më i mirënjohuri dhe sjell realisht më shumë kontribut (se dy kandidatët e tjerë të mundshëm Vance dhe Burgum)”, i tha Zërit të Amerikës Larry Sabato, drejtor i Qendrës për Politikën në Universitetin e Virxhinias. “Se sa do të kontribuojë realisht mbetet për t’u parë, por ai është folës i spanjishtes. Është kubano-amerikan. Dhe latinët janë larguar disi nga demokratët”.
Një emisar i mirë
Senatori J.D. Vance është kandidati me më pak eksperiencë në politikë. Ai ka shërbyer në Senat që nga janari 2023 dhe nuk ka qenë ndonjëherë më parë i zgjedhur. Nga shteti Ohajo, ai është 39 vjeç, i martuar dhe ka tre fëmijë. Zoti Vance iu bashkua marinsave pasi mbaroi shkollën e mesme dhe shërbeu gjatë luftës në Irak. Më pas, përfundoi studimet universitare dhe pasuniversitare për juridik.
Zoti Vance u bë për herë të parë i njohur në publik në vitin 2016, kur publikoi një libër të suksesshëm (“Hillbilly Elegy: A Memoir of a Family and Culture in Crisis”), ku analizohet kultura dhe pathologjitë sociale të pjesëve dikur të industrializuara të Amerikës. Zoti Vance i hyri në vazhdim botës së investimeve, përpara se të kandidonte për në Senat në vitin 2022.
Edhe zoti Vance ishte një kritik i ashpër i zotit Trump gjatë viteve fillestare në politikë të ish-presidentit, duke e cilësuar madje veten në një moment si një republikan anti-Trump dhe duke thënë se ish-presidenti ishte për shoqërinë si heroina.
Ashtu si zoti Rubio, edhe zoti Vance u bë një mbështetës i fortë i zotit Trump, pasi ish-presidenti mori drejtimin e Partisë Republikane.
Zoti Galston thotë se zoti Vance nuk sjell ndonjë përfitim të dukshëm elektoral, pasi shteti i tij ka gjasa të shumta që të votojë për zotin Trump.
Por ai thotë se “Vance mund të ishte një emisar efikas për mesazhin e Trump-it, megjithëse është mjaftueshëm i zgjuar që të bëjë gabimin e radhës për të menduar për veten. Mund të ketë fërkime herë pas here, por nuk do të zgjasin”.
Kompetencë pa zhurmë
Guvernatori Doug Burgum, 67 vjeç, është i lindur në Dakotën e Veriut dhe ka shërbyer si guvernator i këtij shteti për dy mandate, që nga viti 2016 dhe deri më tani. Ai ka sinjalizuar se nuk do të kandidojë për herë të tretë për guvernator. Zoti Burgum ka tre fëmijë nga martesa e parë, e cila zgjati deri në vitin 2003. Ai u martua sërish në vitin 2016.
Një sipërmarrës i pasur, zoti Burgum ka themeluar disa kompani të suksesshme, ndër to edhe një firmë për programet e kontabilitetit të cilën ia shiti korporatës Microsoft për mbi 1 miliard dollarë në vitin 2001. Që nga ajo periudhë, ai ka qenë aktiv në shumë projekte filantropike.
Zoti Burgum ishte fillimisht kandidat për president në zgjedhjet paraprake republikane të këtij viti, por doli nga gara në dhjetor 2023. Megjithëse ishte disi kritik ndaj zotit Trump gjatë fushatës, ai e mbështeti ish-presidentin që në fillim të këtij vitit zgjedhor dhe u bë rregullisht i pranishëm gjatë aktiviteteve të tij të fushatës dhe në media.
“Trump-it i pëlqen dhe ndjehet mirë me të”, tha zoti Sabato. “Është nga bota e biznesit, flet me tone të qeta, nuk ka shkëlqim në podium dhe nuk mundet ta lërë në hije Trump-in kur shfaqen së bashku”.
Alternativat e tjera
Ndërsa duket se zotërinjtë Rubio, Vance dhe Burgum kanë shanset më të mira për momentin, mendohet se po shqyrtohen edhe kandidaturat e zotit Scott dhe zonjës Stefanik.
Senatori nga Karolina e Jugut, Tim Scott, ka shërbyer në poste publike që nga viti 1995, kur filloi karrierën në politikën lokale. Ai ka qenë senator që nga viti 2013 dhe ka shërbyer më herët për një mandat në Dhomën e Përfaqësuesve.
Duke qenë se është afrikano-amerikan, ai mund ta ndihmojë ish-presidentin Trump të tërheqë votuesit afrikano-amerikanë, me të cilët ka patur historikisht rezultate jo të mira. Sidoqoftë, ish-presidenti Trump duket se ka gjasa të mëdha që të fitojë në Karolinën e Jugut, kështu që përzgjedhja e zotit Scott nuk do ta ndihmonte shumë në atë shtet.
Elise Stefanik ka përfaqësuar distriktin e Nju Jorkut në Dhomën e Përfaqësuesve që në vitin 2015 dhe është kryetare e Konferencës Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve. Ajo është një mbështetëse e hapur e ish-presidentit Trump, që tërhoqi vëmendjen e tij pjesërisht pasi i doli në mbrojtje në mënyrë të fuqishme kur Dhoma e Përfaqësuesve shqyrtoi për herë të parë mundësinë e ngritjes së akuzave me qëllim shkarkimin e tij.
Si një kandidate grua, ligjvënësja Stefanik mund ta ndihmonte ish-presidentin Trump duke tërhequr votueset gra, me të cilat ish-presidenti ka hasur ndonjëherë në vështirësi. Por, ashtu si me senatorin Scott, edhe përzgjedhja e saj nuk duket se do të ndikonte tek rezultati i votës në shtetin e saj. Nju Jorku nuk ka votuar për një president republikan që prej 40 vitesh dhe 61% e votuesve mbështetën presidentin Biden në vitin 2020, ndërsa për ish-presidentin Trump votuan vetëm 38%./voa/
Parashikimi i motit për sot
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York