Google ADS

Selmanaj: Nuk votojmë ligje që janë në shpërpushje me agjendën tonë

14:07 | 27 Qershor 2024
A Z

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur konferencë për medie pas lëshimit të seancës së Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj kritikoi mazhorancën për mosmbështetje të kërkesës së tyre për kthimin në shqyrtim të Ligjit për Këshillin Prokurorial, atë për Zyrtarët Publikë si dhe për Komisionin e Pavarur për Media.

Sipas LDK-së këto ligje janë në kundërshtim me kushtetutën si dhe në shpërpushje me rrugën evropiane të Kosovës.

“Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një agjende e cila duket që është e shumicës parlamentare, që të votojë ligje ose të merr vendime që janë në shpërpushje me agjendën tonë dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kemi një përpjekje të mazhorancës që nga viti 2021 që të kap tri segmente të rëndësishme të shtetit. Kjo qasje për LDK-në është qasje kundër procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Bashkë me BE-në dhe miqtë tanë jemi në të njëjtën linjë se tri ligje janë kundër-kushtetuese. E para ka të bëjë me Ligjin për Këshillin Prokurorial. Ka pasur përpjekje të qeverisë për ta kapur KPK-në. E dyta ka të bëjë me Komisionin e Pavarur për Media. Po rrezikohet një sektor shumë i rëndësishëm. E treta ka të bëjë me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Përsëri po sillen ndryshime të cilat prekin pavarësinë dhe profesionalizmin e shërbimit civil”, theksoi ai.

Selmanaj paralajmëroi se këto ligje do t’i dërgojnë sërish në kushtetuese.

Ndrkaq, deputeti i LDK-së foli edhe për raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi.

” Është taktizim i radhës i kryeministrit Kurti për konsum të brendshëm. Nuk është hera e parë që kryeministri Kurti vendos kushte dhe pastaj i shkel. Ato kushte ka mundur t’i paraqes edhe nga Kosova. Është taktizim për qëllime të brendshme elektorale”, shtoi ai./RTK

Të ngjashme