Nga: Burim Ramadani
Kujdes! “Faktori i tretë” mund të veprojë në Kosovë! Mund të ndikojë në destabilizimin e Kosovës dhe devijimin e krejt axhendës politike e diplomatike.
Uluni dhe merruni vesh për modalitetin e zgjedhjeve. Nuk ka më hapësirë tjetër politike për ndaljen e konfrontimit që po ndodh tash e sa muaj! Përpjekjet e deritashme shtetërore janë treguar të padobishme. Kontrollimi i gjendjes bëhet me marrëveshje. Tashmë, marrëveshja mund të jetë për modalitetin e zgjedhjeve. Nuk shoh mes tjetër.
Tensionimi i paprecedent i gjendjes politike në Kosovë, dorën në zemër, deri më tash nuk është kthyer në kërcënues për sigurinëdhe stabilitetin e shtetit. Ka pasur disa herë situata të rënda, megjithatë të izoluara në kuptimin e afektimit të sigurisë.
Por, nuk do të thotë se kështu do të vazhdojë pakufi.
Mund të shohim skena të rënda të eskalimit të gjendjes së sigurisë të sponsorizuara nga “Fatktori i tretë”, të cilat do të tejkalonin çështjet e kontestuara politike të deritashme.
Kush mund të jetë “faktori i tretë” dhe çfarë mund të bëjë?Qartësisht, Kosova nuk ka vetëm miq. Ka armiq sa të duash! Disa me pretendime territoriale, disa me pretendime ideologjike, disa me pretendime përfituese materiale (financiare).
Serbia dhe mekanizmat e saj të fshehtë mund të marrin primatin e kërcënimit tëstabilitetit të shtetit të Kosovës. Qëllimit të devijimit të kontrontimit të deritashëm politik në një konfrontim sigurie dhe kontfrontim ndër-etnik. Kjo do të shkaktonte ndryshim të axhendës së plotë politike dhe diplomatike në dhe ndaj Kosovës. Do të rrezikonte një stad tjetër edhe më të keq në aspektin e aranzhmaneve juridiko-politike brenda Kosovës. Do të mjaftonin, fatkeqësisht, vetëm pak veprime të fshehta për të ndërtuar një rrezikim konfrontimi ndër-etnik.
Këtë logjikë veprimi Serbia e ka pasur prej dekadave. Ju kujtohet rasti “Panda” në Pejë, të cilin rast vet Kryeministri i tashëm i Serbisë e “denoncoi” si operacion i shërbimeve sekrete të Serbisë!
Më keq s’ka ku shkon në logjikat e tilla! Hajt e beso se ka ndrruar logjikat e Serbisë në këtë mundësi!
Për më tepër, kur bash këtyre ditëve një agjent i inteligjencës së Serbisë tronditi publikisht duke dhënë “udhëzimet se si mund të shkaktohet konflikt dhe të ndizet zjarri midis shqiptarëve”.
Ekstremistët e dhunshëm islamistë mund të synojnë shfaqjen e tyre edhe më konkrete. Për shumë vjet, përpapja e ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit ka avancuar pothuajse pa u vërejtur nga shoqëria kosovare. Vetëm pas strukturimit të këtyre lëvizjeve dhe vetëm pas “dhënies së rezultateve të para”, përmes komandantëve gjakprishur të tipit të Lavdrimit në Siri, shteti dhe shoqëria kosovare ka filluar reagimin ndaj këtij kërcënimi ideologjik.
Një video e shpërndarë, ku një protestues thërret “Allahu Ekber” gjatë protestës së të shtunës, duhet tëinterpretohet vetëm pasi të analizohet autenticiteti. Sepse, në këtë “botën” tonë, pakgjë ka mbetur e pakontestueshme.
Porse, në secilin variant (qoftë autentik, qoftë të montuar), kjo mund të tregojë për hapësirën që “të gjithë” mund të tentojnë të shtyejnë përpara axhendat e veta, që jo domosdoshmërisht janë në të mirë të Kosovës.
Krimi i Organizuar Transnacional është prezent në Kosovë e Ballkan, në nivel të lartë. Rajoni, pjesë e të cilit jemi, është ura lidhëse sidomos në trafikimin e jashtëligjshëm të drogave, trafikimin me qenie njerëzore dhe kontrabandimin e jashtëzakonshëm të mallrave.
Një situatë e tillë, pa shenja përmirësimi, do të mund të ndikonte në rritjen e qëllimeve përfituese materiale të autorëve të krimit të organizuar transnacional. Drogat, prostitucioni e kontrabanda lulëzojnë në shtetet dhe rajonet e brishta. Jostabiliteti ofron “parajsë” për kriminelët dhe bosët e mëdhenj rajonalë apo më gjerë.
Fokusimi i sektorit të sigurisë në çështje krejt politike, përkatësisht çështje që derivojnënga konfrontimi politik, u jep hapësirë të madhe keqbërësve, autorëve të krimit të organizuar dhe transnacional. Hapësirë që e kërkojnë çdokund, për vite të tëra.
Si parandalohet “faktori i tretë”? Duhet “zënë në befasi” këtë “faktorin e tretë”!
Në kohën kur dikush si “faktor i tretë” do të mund të vepronte, duhet që veprimi i tij (lexo: tyre) të jetë pa efekt nëaxhendën politike dhe diplomatike të Kosovës.
Partitë në Qeveri, në njërën anë, dhe partitë në opozitë, në anën tjetër, kanë një përgjegjësi të përbashkët: ta ruajnë stabilitetin dhe ekzistencën e shtetit të Kosovës!
Tashmë, është afruar momenti kur asnjë formë tjetër përpos marrëveshjes për modalitetin e zgjedhjeve nuk mundëson sigurt ruajtjen e stabilitetit!
Ky nuk duhet të shihet si moment dëshirash, por si një moment i ri, në një masë të zgjeruar si moment alarmi.
Jo pak herë keqkuptohen idetë e ndërmjetme. Jo pak herë keqinterpretohen konceptet stabilizuese. Mund të ndodh njëjtë edhe me këtë analizim të “faktorit të tretë”!
Sidoqoftë, mund të kemi synime e ideologji të ndryshme, por një Kosovë e kemi! Të gjithë ne!
Nuk duhet që atdheun tonë ta hapim për “faktorin e tretë”!
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...