Google ADS

A është e mundur një javë pune katërditore?

10:01 | 26 Qershor 2024
R J

45 kompani gjermane iu bashkuan projektit për punë 4-ditore në javë. Cilat janë përvojat dhe a mund të aplikohet një sistem i tillë?

Një kompani pastrimi qilimash, një kompani ndërtimi, një agjenci marketingu – këto janë vetëm disa nga kompanitë që marrin pjesë në projektin më të madh ndonjëherë në Gjermani, i cili lidhet me prezantimin e një jave pune katërditore. “Katër ditë” është emri i këtij eksperimenti. Se si dhe në çfarë forme do të ulet orari i punës së punonjësve është lënë në dorën e vetë kompanive, pra drejtuesve të tyre që në fillim.

Disa kompani përdorën modelin klasik: e premte falas për të gjithë. Të tjerë kanë lejuar punonjësit e tyre të punojnë pesë ditë në javë për katër javë dhe më pas të marrin pushim javën e pestë të punës në tërësi. Ose orari i punës ditore i punonjësve është shkurtuar. Por si ka funksionuar java katërditore e punës gjatë pesë muajve të fundit?

Çfarë ndodhi me punonjësit e Kootstra Schiffsreisen?

Në murin e zyrës së operatorit turistik Kootstra Schiffsreisen në Münster, që nga shkurti është varur një plan urbanistik shumëngjyrësh, i cili i ngjan një tapeti të bërë nga lecka të ndryshme. Kompania i ndau punonjësit në dy grupe: gjysma ka pushim të hënën, gjysma tjetër të premten. Zyra ka qenë shumë më bosh që atëherë. Gjithashtu, atyre u është dashur të shkurtojnë orarin e caktuar për t’u përgjigjur në telefon, në mënyrë që të punojnë më produktivisht.

“Të gjithë kishin uljet dhe ngritjet e tyre,” thotë drejtori Julius Gräler në muajin e pestë të projektit pilot. Që në fillim ishte i bindur se orari javor i punës duhet të reduktohej dhe donte ta provonte në kompaninë e tij.

Ky operator turistik organizon turne me biçikleta, kryesisht në Holandë por dhe ca gjëra të tjera. Tani, pak para pushimeve verore, sezoni i pikut të tyre po afron. Megjithatë, pak më parë pati përmbytje dhe vërshime të Danubit, të cilat ndikuan në punën e tyre turistike. Java e punës katërditore për këtë kompani ishte jo vetëm pozitive. “Kjo shkaktoi edhe stres për punonjësit sepse shumë punë mbetën të papërfunduara për shkak të ditës së tyre të pushimit”, thotë Gräler.

Reagimet pozitive

Kur u pyetën nëse ia vlente akoma, përgjigja e drejtorit është e qartë: “Vërehet se njerëzit ndihen më të çlodhur, se subjektivisht nuk e kanë pasur problem të kryejnë detyrat e tyre në orar të reduktuar të punës”. Punonjësit nuk punonin më orë jashtë orarit, produktiviteti mbeti i njëjtë dhe reagimet e të tjerëve ishin pozitive.

Rreth 80 për qind e punonjësve e vlerësuan projektin si të suksesshëm, thotë Gräler. Edhe pse kjo do të thotë përpjekje shtesë organizative për të si shef, ai dëshiron të vazhdojë javën e punës katërditore edhe pas përfundimit të projektit eksperimental.

Punonjësit duan orar më fleksibël të punës

Julia Backmann nga Universiteti i Münsterit analizon të dhënat nga studimi. Ajo dhe kolegët e saj flasin rregullisht me kompanitë, pra me punëdhënësit dhe punonjësit. Punonjësit vullnetarisht mbajnë smartwatch: orë fitnesi që matin rrahjet e zemrës dhe, të themi, cilësinë e gjumit.

Në të gjitha kompanitë, ky projekt nuk funksionon aq mirë sa në Kootstra Schiffreisen në Münster, thotë Julia Backmann. Kaq mund të thuhet në këtë pikë – edhe pse të dhënat ende nuk janë analizuar zyrtarisht.

“Ne jemi më të interesuar të shohim perspektivën e punonjësve,” thotë studiuesja. “Shumë prej tyre e shohin pozitivisht javën e punës katërditore, ndërsa ka dhe të tjerë që janë skeptikë. Nëse, për shembull, çdo ditë punohet një orë më shumë për të marrë një ditë pushim, në varësi të fushës ku punojnë, disa e përjetojnë atë si një barrë të madhe.” Konkluzioni i saj është se shumë punonjës duan orar më fleksibël të punës, por që nuk duhet domosdoshmërisht të shpërndahen në katër ditë.

Një shans në luftën kundër mungesës së punëtorëve të kualifikuar

Dhe çfarë përvojash kanë pasur punëdhënësit apo kompanitë me orarin katërditor të punës? Julia Backmann vuri re se reduktimi i orarit të punës me të njëjtin vëllim pune nuk mund të respektohej gjithmonë nga punonjësit dhe se përshtatja ishte e vështirë për disa kompani, në varësi të degës ekonomike, madhësisë ose kulturës së biznesit të kompanisë. Por edhe kompanitë kishin avantazhe dhe përfituan prej këtij modeli. “Kur kompanitë promovuan orët e punës katërditore në konkurset për vende pune, numri i aplikimeve u rrit ndjeshëm, ndërsa cilësia e kandidatëve nuk u ul.

“Është një shans i madh, sepse mungesa e punëtorëve të kualifikuar ka bërë që shumë kompani të marrin pjesë në studim,” vëren Julia Backmann, e cila është optimiste e kujdesshme. Ajo konstaton se një javë pune katërditore nuk është e përshtatshme për çdo kompani, por se mund të sjellë avantazhe për shumë njerëz. Rezultatet e studimit do të analizohen detajisht tani dhe do të prezantohen zyrtarisht në vjeshtë./DW/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme