Shtetet e Bashkuara vendosën të martën sanksione të reja ndaj 50 entiteteve dhe individëve nën akuzat se kanë qarkulluar miliarda dollarë në favor të ushtrisë së Iranit.
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi përmes një deklarate se mori masa ndaj një “rrjeti bankar të fshehtë”, që përdorej nga Ministria e Mbrojtjes e Iranit, nga Forcat e Armatosura (MODAFL) dhe Roja Revolucionare Islamike, që janë nën sanksione amerikane.
Sipas Thesarit, ky rrjet i ndihmoi këto dy institucione iraniane – të cilat përfitojnë nga shitja e karburanteve – të kenë qasje në sistemin ndërkombëtar financiar dhe të qarkullojnë miliarda dollarë që nga viti 2020.
Departamenti i Thesarit tha se përfitimet e MODAFL-it dhe Rojës Revolucionare të Iranit përmes agjencive të këmbimit valutor dhe kompanive që kanë vepruar nën petkun e kompanive të huaja, mbështesnin furnizimin me armë dhe fonde të grupeve të lidhura me Iranin, përfshirë grupin Houthi të Jemenit si dhe për dërgimin e dronëve Rusisë për t’u përdorur në luftën në Ukrainë.
Uashingtoni ka vënë një mori sanksionesh ndaj dronëve iranianë dhe grupit Houthi, i cili po sulmon me raketa dhe dronë anijet dhe rrugët detare që nga nëntori i vitit të kaluar, në shenjë solidariteti me palestinezët në Gazë.
“Po vazhdojmë të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë, si dhe me industrinë financiare botërore, për të rritur vigjilencën ndaj qarkullimit të fondeve që mbështesin terrorizmin”, tha zëvendës-sekretari i Thesarit, Wally Adeyemo.
Misioni i Iranit në organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork nuk reagoi.
Masat e të martës goditën dhjetëra kompani në Hong Kong, Emiratet t Bashkuara Arabe dhe Ishujt Marshall, si dhe disa kompani me seli në Iran dhe Turqi.
Departamenti i Thesarit tha se divizioni për furnizimin e ushtrisë iraniane përdorte zyrat e këmbimit valutor në Iran, që menaxhojnë një numër kompanish të regjistruar nën juridiksionin e Hong Kongut, apo Emirateve për të pastruar fitimet, përfshirë ato që nga shitja e naftës që bëhej nga kompania ‘Sahara Thunder’, ndaj të cilës Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione në muajin prill.
Departamenti i Thesarit e akuzoi këtë kompani se shërbente si kompani e rreme që vepronte për të menaxhuar aktivitetet tregtare të ushtrisë iraniane për të mbështetur Rojën Revolucionare Iraniane dhe luftën e Rusisë në Ukrainë, duke luajtur një rol thelbësor në prodhimin dhe shitjen e mijëra dronëve.
Përmes këtij veprimi, pronat që këto kompani apo individë kanë në Shtetet e Bashkuara ngrihen dhe shtetasve amerikanë nuk u lejohet të komunikojnë me ta. Ata që shkelin sanksionet rrezikojnë të goditen me sanksione gjithashtu./VOA/
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?