Google ADS

Protesta e PD-së mbahet më 12 korrik

21:59 | 24 Qershor 2024
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar sot mbledhjen e parë të kryesisë, pasi mori vulën dhe logon nga vendimi i fundit të Gjykatës së Apelit.

Gjatë mbledhjes së kryesisë që po zhvillohet në selinë blu, Berisha i ka bërë thirrje çdo opozitari dhe çdo demokrati që të jenë së bashku në një betejë.

“Duhet të bëhet gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre të gjithë ata demokrate dhe demokratë që e ndjejnë veten të tillë dhe duan të bashkohen me PD-në”.

Berisha tha se asnjë nga ne nuk duhet të shikojë vëngër apo me skepticizëm ata që duan të bashkohen me ne ndaj qëllimi ynë është të jemi bashkë duke nisur nga organizimi i protestës kombëtare në 12 korrik në orën 20:00.

“Armiku ynë i përbashkët është Edi Rama. PD ka nevojë jo vetëm të bashkohet me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet më shumë se kurrë, me të gjithë spektrin opozitar”, u shpreh ai.

Një front i gjerë dhe i bashkuar opozitar, theksoi Berisha, është i një rëndësie vendimtare sepse për aq kohë sa Edi Rama është në pushtet, dhunon çdo ligj e Kushtetutë të këtij vendi, edhe për faktin se ne e lejojmë atë.

“Detyra jonë është një dhe vetëm një, krijimi i Qeverisë teknike dhe shpëtimi i vendit nga ky regjim”, tha Berisha. Sipas tij, Qeveria teknike krijohet në mënyrën më të pashmangshme se Edi Rama nuk ka më legjitimitet, ai dëshmoi në zgjedhjet e 14 majit se është i gatshëm të shkelë çdo ligj, normë, moral dhe Kushtetutë”.

“Ai qëndron në pushtet për shkak të dobësisë së opozitës, ndaj ne duhet t’ia bëjmë të qartë mbështetësve tanë”, tha Berisha.

 

/rtsh.al/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme