Seuli thotë se Veriu ka rinisur gjuajtjen e balonave

17:04 | 24 Qershor 2024
E.G

Koreja e Veriut ka rinisur hedhjen e balonave, që me gjasë janë të mbushura me mbeturina, drejt Koresë së Jugut të hënën, më 24 qershor, tha ushtria e Koresë së Jugut, në rundin e fundit të fushatës së stilit të Luftës së Ftohtë në Gadishullin Korean.

Lëshimi i balonave ndodhi disa ditë pasi lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkruan një marrëveshje të mbrojtjes, që sipas vëzhguesve mund ta inkurajojë Kimin që të rrisë provokimet ndaj Koresë së Jugut.

Përmes një deklarate, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Seulit tha se balonat e Koresë së Veriut kanë lëvizur në jug. Në deklaratë po ashtu u tha se ushtria po monitoron nga afër veprimet e Veriut.

Ushtria u bëri thirrje qytetarëve që të mos i prekin balonat e lëshuara nga Veriu, por të njoftojnë ushtrinë dhe policinë nëse i hasin ato. Megjithatë, ushtria e Seulit nuk bëri të ditur se si do të përgjigjet ndaj lëshimit të balonave të reja.

Që nga fundi i majit, Koreja e Veriut ka lëshuar një sërë balonash në Jug, të mbushura me mbeturina. Në to, megjithatë, nuk janë gjetur materiale me rrezikshmëri të lartë. Ndërkaq, disa aktivistë të Koresë së Jugut po ashtu kanë hedhur pamflete në Veri që kritikojnë udhëheqjen politike të këtij shteti.

Kim Yo Jon, motra e liderit të Koresë së Veriut, javën e kaluar sugjeroi se vendi të rinisë fushatën me balona për t’iu kundërpërgjigjur hedhjes së pamfleteve.

Po ashtu, më herët gjatë të hënës Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia përmes një deklarate të përbashkët dënuan fuqishëm zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut. Këto tri shtete thanë se ky bashkëpunim është “shqetësim i madh” ndaj përpjekjeve për të promovuar paqen në Gadishullin Korean./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme