Google ADS

Abdixhiku për vdekjen e Prenk Gjetajt: Kontributi i tij s’do të harrohet kurrë

15:25 | 22 Qershor 2024
E.K

Krytari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dërguar telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së profesorit kosovar, Prenk Gjetaj.

Abdixhiku ka thënë se Gjetaj ka lënë një trashëgimi të madhe dhe se kontributi i tij si atdhetar, kryetar komune dhe dege i LDK-së në Klinë nuk harrohen kurrë.

Postimi i plotë:

Me rastin e ndarjes nga jeta të atdhetarit të madh, prof. Prenk Gjetaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dërgon këtë telegram ngushëllimi:

E nderuara familja Gjetaj,

Të nderuar qytetarë të Komunës së Klinës,

Të dashur veprimtarë të Lidhjes Demokratike,

Në pamundësi që të jem me ju, më lejoni që në këto momente të vështira për familjen dhe të gjithë miqtë, të ju shpreh ngushëllime dhe të ndajmë dhimbjen për humbjen e atdhetarit të madh, Prof. Prenk Gjetaj.

Prenk Gjetaj ishte angazhuar që nga orët e rënda në çështjen kombëtare. Viteve të 90’ morri pjesë aktive në lëvizjen paqësore; ai ishte po ashtu një ndër themeluesit e LDK-së në Klinë, dhe ish-kryetar i Komunës së Klinës. Për shumë vite punoi e dha kontributin e tij të jashtëzakonshëm si profesor në Gjimnazin

“Luigj Gurakuqi” në Klinë. Opusi i tij prej intelektuali dhe njeriu të urtë u bart në shumë breza që kaluan nga duart e tij.
Profesori Prenk Gjetaj ishte jo vetëm mësimdhënës i shquar, por edhe një atdhetar i palodhur dhe udhëheqës i përkushtuar në veprimtarinë politike dhe në lëvizjen për çlirimin e vendit. Ndërsa kohëve të fundit profesor Gjetaj vazhdoi angazhimin e tij si Kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.

Ai na la një trashëgimi të madhe të angazhimit të pafund dhe të paepur për shtetin dhe për popullin e tij. Kontributi i tij si atdhetar, mësimdhënës, kryetar komune dhe dege të LDK-së në Klinë dhe figure të shquar politike nuk mund të harrohet asnjëherë. Ashtu siç ishte i dashur e i urtë për të gjithë ne në kohë të vështira, do të mbetet i tillë përherë; Prof. Gjetaj do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si një prej personaliteteve që ka dhënë gjithçka për vendin e tij.

Në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe timin personal, pranoni ngushëllimet e sinqerta për humbjen tuaj dhe tonën, prof. Prenk Gjetajn.

Dritë pastë shpirti i tij!/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme