Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me delegacionin e Republikës së Kosovës në SEECP, në prani të pritësit, Afrim Gashi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, si dhe pjesëmarrësve të tjerë nga delegacionet e vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, mori pjesë në seancën e 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA) të mbajtur në Shkup.
Gjatë fjalës së tij në këtë seancë Konjfuca theksoi se vizioni për bashkëpunim dhe për arritje të aspiratave të përbashkëta përmban ndër të tjera në vetvete edhe njohjen e Republikës së Kosovës nga të gjitha vendet e këtij rajoni, në mënyrë që t’i hapet rruga gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit të plotë e të mirëfilltë.
Ai po ashtu theksoi nevojën për të mbështetur aspiratën e Kosovës për anëtarësim në struktura ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës, në frymën e përkushtimit për një rajon sa më të bashkuar rreth vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta.
“Një gjë e tillë u arrit më herët me liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë, gjë për të cilën jemi mirënjohës dhe kjo duhet të përsëritet, në frymën e të ardhmes së përbashkët”, tha ai..
Kreu i Kuvendit potencoi po ashtu se edhe se ngjarja e 24 shtatorit 2023, kur kundër Republikës së Kosovës u krye një sulm i egër terrorist, me pasojë vrasjen e Rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve të tjerë, ishte goditje e rëndë jo vetëm për bashkëpunimin, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Prandaj, shtoi kryetari Konjufca, ai akt duhet dënuar nga të gjithë pa përjashtim, ndërsa përgjegjësit të cilët strehohen dhe mbrohen nga Serbia duhet të vihen përballë drejtësisë. Pa këto qëndrime dhe veprime, do të jetë e vështirë të arrihen synimet e SEECP.
Në vazhdim të fjalës së tij kryetari i Kuvendit të Kosovës potencoi përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë Republika e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, në qeverisjen demokratike dhe të drejtat e njeriut, në luftën kundër korrupsionit, në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
“Ky progres, i njohur edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një shoqëri të gjallë, demokratike dhe gjithëpërfshirëse”, tha kryetari Konjufca, duke bërë thirrje që të punohet së bashku, për të riafirmuar përkushtimin ndaj parimeve të barazisë, gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit rajonal, për t’u siguruar që asnjë anëtar i komunitetit tonë të mos margjinalizohet dhe të sigurohemi që Strategjia për Evropën Juglindore 2030 të përmbushë premtimin e saj për të mos lënë askënd pas dhe për të nxitur një rajon ku çdo shtet mund të lulëzojë.
Në përmbyllje të punimeve të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore pjesëmarrësit dolën me një deklaratë të përbashkët finalizuese.
Në kuadër të delegacionit të Kuvendit në SEECP, në punimet e kësaj seance morën pjesë deputetet: Fitore Pacolli Dalipi, Vlora Dumoshi, Jeta Statovci dhe Mefail Bajqinovci.
Gjatë punimeve, takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Siguri në AP të SEECP, e kryesoi deputeti Mefail Bajqinovci, Kryetar i Komisionit, ndërsa takimin e Komisionit për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë, e kryesoi deputetja Vlora Dumoshi, Kryetare e Komisionit.
Gjatë takimeve, Kryesuesit e Komisioneve të Përgjithshme të AP të SEECP-së, deputetët Mefail Bajqinovci dhe Vlora Dumoshi, krahas udhëheqjes së punës së Komisioneve, prezantuan edhe kandidaturat për komisionet e përgjithshme. Me konsensus u vendos që Kuvendi i Kosovës të vazhdojë udhëheqjen me këto dy komisione edhe për vitin e ardhshëm, ndërsa Turqia do të udhëheqë me Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji./Arbresh.info/
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën
Pacolli sot mban takim humanitar në Gjermani