Google ADS

Mourinho: Shqipëria është një nga skuadrat që ka thyer çdo parashikim

15:19 | 20 Qershor 2024
D.H

Performancat e kombëtares shqiptare në Euro 2024 kanë tërhequr edhe vëmendjen e Jose Mourinhos. “Surpriza e Europianit”, i cilëson tekniku i famshëm portugez kuqezinjtë e Sylvinhos.

Shqipëria zhvilloi një ndeshje të madhe ndaj Kroacisë, por në fund vetëm një pikë e ardhur falë barazimit 2-2 nëpërmjet golit të Klaus Gjasulës në minutat shtesë.

Kombëtarja dominoi kroatët në pjesën dërrmuese të duelit në Hamburg, sfidë ku të mëdha janë pengjet sa i përket rasteve të shpërdoruara, por jo vetëm.

Gjithsesi, Shqipëria nuk ka asgjë për të humbur dhe do të tentojë fitoren në ndeshjen e 24 qershorit përballë Spanjës, që do të sillte kualifikimin e çmendur në grupin më të fortë në Gjermani 2024.

Në një postim në rrjetet sociale, trajneri i ri i Fenerbahces në Superligën turke nuk i kursen elozhet për kombëtaren e gjithë shqiptarëve.

“Shqipëria është një nga skuadrat që ka thyer çdo parashikim. Në grupin e vdekjes me zero pritshmëri, stadiume plot, ndeshje të bukura, gola në sekondat e para dhe gola në minutat e fundit.

Një skuadër plot jetë në kërkim të fitoreve. Nuk e kishim parë një gjë të tillë që prej Kosta Rikës në Botërorin e 2014-s. Kulmi i futbollit”./ss

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme