Raportohet se Hungaria dhe Sllovakia nuk do ta kundërshtojnë emërimin e Ruttes në krye të NATO-s

15:45 | 18 Qershor 2024
E.K

Mediat holandeze thonë se Hungaria ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj që kryeministri holandez, Mark Rutte të bëhet shefi i ardhshëm i NATO-s, pas takimeve në Bruksel. Presidenti i Sllovakisë, më herët më 18 qershor, gjithashtu sinjalizoi mbështetjen e mundshme të vendit të tij.

NATO po kërkon konsensus midis 32 vendeve anëtare që dikush të pasojë norvegjezin Jens Stoltenberg në postin e shefit të aleancës, kur ai të largohet në muajin tetor.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Turqia kanë thënë se do të mbështesin kandidaturën e Ruttes.

Nëse konfirmohen raportimet se Hungaria dhe Sllovakia tani mbështesin kryeministrit holandez, Rumania do të mbetej pengesa e fundit.

Të gjithë 32 anëtarët e aleancës ushtarake duhet të miratojnë një kandidat për mandatin katërvjeçar.

RTL News më 18 qershor citoi burime të paidentifikuara të kenë thënë se Budapesti “nuk e kundërshton më kandidaturën [e Rutte]” pas një takimi midis Rutte dhe kryeministrit hungarez, Viktor Orban në margjinat e një samiti të liderëve të BE-së.

Zëdhënësi i kryeministrit hungarez, Zoltan Kovacs konfirmoi në rrjetin social X se Orban dhe Rutte ishin takuar vonë më 17 qershor përpara samitit të BE-së, për t’u fokusuar në “çështjet dypalëshe dhe ndërkombëtare”.

Gazeta holandeze NOS citoi zëdhënësin e Orbanit të ketë thënë se kryeministri hungarez dhe Rutte kishin një “bisedë të mirë”.

Nuk ka pasur asnjë deklarim publik nga zyrtarët hungarezë për ndonjë ndryshim qëndrimi.

Orban kishte thënë në fillim të këtij muaji se do t’i jepte fund kundërshtimit të tij ndaj kandidaturës së Rutte-së në NATO, nëse do të kërkonte falje për kritikat e fundit ndaj qeverisë së tij në Budapest dhe do të lejonte Hungarinë të përjashtonte veten nga planet e ndihmës së aleancës ushtarake për Ukrainën.

Rutte tha më 17 qershor se ai mbeti “optimist i kujdesshëm për Hungarinë”.

Më pas më 18 qershor, presidenti i ri sllovak, Peter Pellegrini tha se vendi i tij është i përgatitur të mbështesë kryeministrin holandez për detyrën kryesore të NATO-s.

“Pas një diskutimi përfundimtar me Mark Rutte dhe konsultimit me qeverinë sllovake, Sllovakia mund ta mendojë Mark Rutte si shefin e NATO-s”, tha Reuters duke cituar Pellegrinin.

Sllovakët janë ndër anëtarët më pro-rusë të BE-së dhe NATO-s dhe kryeministri populist i krahut të majtë, Robert Fico ndaloi dërgesat e armëve në Ukrainë, pas emërimit të tij në tetor.

Ashtu si Orban, edhe Fico ka kundërshtuar publikisht anëtarësimin përfundimtar të Ukrainës në NATO.

Orban ka qenë një kritik i vendosur i sanksioneve ndaj Rusisë dhe ndihmës së drejtpërdrejtë ushtarake për Kievin që kur filloi pushtoi rus i Ukrainës dy vjet më parë.

Ai ka vazhduar vizitat dhe hapat e tjerë diplomatikë në Moskë, pavarësisht thirrjeve të Perëndimit për unitet përballë kërcënimit rus.

Stoltenberg udhëtoi në Hungari më 12 qershor dhe doli nga një takim me Orbanin duke thënë se Budapesti kishte rënë dakord të mos e bllokojë përkrahjen e aleancës për Ukrainën, por ka vendosur të mos ofrojë ushtarë apo fonde për ta ndihmuar vendin e rrënuar nga lufta./rel

Të ngjashme