Google ADS

Digjet një depo nafte pas një sulmi të dyshuar me dronë në jug të Rusisë

10:59 | 18 Qershor 2024
E.K

Një zjarr i madh ka përfshirë një depo nafte në qytetin jugor rus të Azovit, pas asaj që guvernatori rajonal e quajti sulm me dronë gjatë natës në mes të 17 dhe 18 qershorit.

Guvernatori i Rostovit, Vasily Golubev tha se nuk kishte viktima në këtë incident.

Ai gjithashtu tha se nuk kishte “asnjë rrezik që zjarri të përhapej në objekte të tjera, apo kërcënime për banorët”.

Ministria ruse e Emergjencave postoi një video të zjarrit dhe tha se një rezervuar karburanti prej pesë mijë metrash kub kishte marrë flakë.

Ai tha se më shumë se 70 zjarrfikës me pajisje, duke përfshirë një tren zjarrfikës, po përpiqeshin të shuanin zjarrin.

Zyrtarët rusë kanë fajësuar dronët ukrainas për sulme të shumta ndaj instalimeve të naftës në javët e fundit, pranë kufirit me Ukrainën.

Kievi në përgjithësi i shmanget komentimit të incidenteve.

Por Ukraina është duke u drejtuar gjithnjë e më shumë në shënjestrimin e infrastrukturës energjetike ruse, kryesisht instalimet e naftës gjatë sulmeve me dronë, në mënyrë që të pakësojë rezervat e karburantit të ushtrisë ruse.

Ukraina i është nënshtruar sulmeve pothuajse të vazhdueshme me dronë dhe raketa ruse në infrastrukturën e saj civile dhe energjetike që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, që nga shkurti i vitit 2022.

Sulmet ajrore ruse kanë shkaktuar viktima të shumta në mesin e civilëve dhe dëme të mëdha materiale në të gjithë vendin, duke përfshirë Kievin – kryeqytetin ukrainas./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme