Tragjedi në ujërat italiane-Zhduken në det 66 emigrantë, midis tyre 26 fëmijë

21:49 | 17 Qershor 2024
E.G

66 emigrantë midis tyre 26 fëmijë janë zhdukur në ujërat italiane në Kalabri. Ndërsa rojet bregdetare shpëtuan 12 persona, ku njëri prej tyre ndërroi jetë.

Varka me 66 emigrantë u përmbys në ujërat italiane në afërsi të bregdetit të Kalabrisë. Midis tyre ishin 26 fëmijë, ndërsa u shpëtuan 12 persona.

Emigrantët po udhëtonin nga Turqia drejt Italisë.

Ndërkaq zyra e Prokurorit Publik të Locri u informua për tragjedinë e cila po koordinon veprimet për hetimin e kësaj ngjarjeje.

Shumica e emigrantëve janë nga Afganistani, Iraku, Siria dhe Irani.

“Unë fola me një djalë që humbi të dashurën e tij. Të mbijetuarit thanë se janë 66 persona të zhdukur, përfshirë të paktën 26 fëmijë, madje edhe disa muajsh. Familjet e tëra nga Afganistani kanë vdekur. Ata u larguan nga Turqia 8 ditë më parë dhe për 3 ose 4 ditë kanë qëndruar në det. Ata na thanë që udhëtuan pa jelekë shpëtimi dhe se disa anije nuk u ndalën t’i ndihmonin”, ka treguar Shakilla Mohammadi, ndërmjetësi ndërkulturor i Mjekëve pa Kufij, i pranishëm në Roçella Ionica ku zbarkuan të mbijetuarit e anijes në Detin Jon.

Roberto Occhiuto, presidenti i Rajonit të Kalabrisë tha se “seksioni turk, nga i cili duket se kanë mbërritur këta emigrantë, është nënvlerësuar shumë shpesh vitet e fundit. Do të duhej më shumë vëmendje nga Evropa dhe qeveritë kombëtare. Detet tona duhet të shkëlqejnë me jetën dhe shpresën, dhe jo të shndërrohen periodikisht në varreza të mëdha”./rtsh.a/

Të ngjashme