Beogradi s’do të ofrojë hapësirë ​​për festivalin “Mirëdita, dobar dan”, thotë kryetari i komunës

17:43 | 15 Qershor 2024
E.K

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Beogradit, Aleksandar Shapiq, ka thënë të shtunën se, derisa ai të jetë në krye të kryeqytetit serb, nuk do ta japë asnjë lloj pëlqimi për mbajtjen e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i cili ka për qëllim krijimin një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

Sipas portalit zyrtar të qytetit, Beoinf, Shapiqi është shprehur kundër mbajtjes së festivalit, sepse, siç pretendon njeriu i parë aktual i kryeqytetit, “vite më parë [festivali] falsifikoi dhe ndryshoi drejtpërdrejt historinë përmes promovimit të ashtuquajturës trashëgimi kulturore të Kosovës, duke përjashtuar atë serbe”.

“Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre”, tha Shapiq.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Serbisë “të mendojë mirë” nëse manifestime të tilla duhet të lejohen në Serbi, sepse “ato dëmtojnë drejtpërdrejt rendin tonë kushtetues dhe juridik”.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet në Beograd që nga viti 2014, me qëllim të krijimit të një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

Festivali, prej vitesh, shoqërohet me thirrjet dhe përpjekjet e organizatave dhe të partive të djathta në Serbi për ndalimin e tij.

Festivali “Mirëdita, Dobar dan” u mbajt për herë të parë me kapacitet të plotë në Prishtinë në vitin 2021.

Ai organizohet nga OJQ Integra, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Forumi ZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur./rel

Të ngjashme