Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është zotuar të premten se do të urdhërojë “menjëherë” armëpushim në Ukrainë dhe fillim të bisedimeve, nëse Kievi fillon t’i tërheqë trupat nga katër rajonet e aneksuara nga Moska më 2022 dhe të heqë dorë nga kërkesa për t’iu bashkuar NATO-s.
Kushtet e parashtruara nga Putin, të cilat janë paraqitur nga zyrtarët rusë disa herë në të kaluarën, u refuzuan edhe një herë nga Ukraina, ndërkaq shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg kritikoi kushtet si një rrugë për “më shumë agresion, më shumë okupim”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të premten se ofertës së presidentit rus për armëpushim nuk mund t’i besohet.
Duke folur për median italiane Sky TG24, në margjinat e samitit të G7-ës, Zelensky tha se beson që Putini nuk do ta ndalte ofensivën e tij ushtarake edhe nëse kërkesat e tij për armëpushim do të përmbusheshin.
“Ne do ta bëjmë menjëherë”, tha Putin gjatë një fjalimi në Ministrinë e Jashtme të Rusisë në Moskë.
Ai i bëri këto komente në një kohë kur liderët e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës u takuan në Itali, dhe në prag të samitit për paqe në Zvicër, ku dhjetëra liderë nga e gjithë bota – përjashtuar Moskën – do të marrin pjesë këtë fundjavë për të diskutuar për hapat e parë drejt paqes në Ukrainë.
Putini tha se propozimi i tij synon arritjen e një “zgjidhjeje përfundimtare” për konfliktin në Ukrainë dhe theksoi se Kremlini është “i gatshëm për t’i nisur bisedimet pa vonesa”.
Kërkesa të tjera për paqe që lideri rus i nënvizoi përfshijnë edhe statusin e vendit jobërthamor të Ukrainës, kufizime ndaj forcave të saj ushtarake dhe mbrojtjen e interesave të rusëve që jetojnë në Ukrainë.
Ai tha se të gjitha këto duhet të jenë pjesë e “marrëveshjeve thelbësore ndërkombëtare” dhe se Perëndimi duhet t’i heqë sanksionet kundër Rusisë, gjithashtu.
“Ne bëjmë thirrje të kthehet kjo faqe e historisë dhe të fillojmë rikthimin e unitetit, hap pas hapi, mes Rusisë dhe Ukrainës dhe në Evropë në përgjithësi”, tha ai.
Ky është një rast i rrallë kur Putini shpalos qartazi kushtet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ai nuk pati kërkesa të reja.
Kremlini ka thënë edhe më parë se Kievi duhet t’i njohë rajonet e uzurpuara nga Moska dhe ta tërheqë kërkesën për anëtarësim në NATO.
Rusia nuk i ka në kontroll të plotë asnjërin prej katër rajoneve që i uzurpoi jashtëligjshëm më 2022, por Putini nguli këmbë të premten se Kievi duhet të tërhiqet nga to plotësisht dhe t’ia dorëzojë ato Moskës.
Në Zaporizhja në juglindje, Rusia nuk e ka në kontroll kryeqytetin e këtij rajoni i cili i ka 700.000 banorë, siç nuk e ka as në rajonin fqinj Herson./rel
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...