Mijëra persona kanë dalë në protesta në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, gjatë javëve të fundit për të kundërshtuar ligjin e ri për “agjentët e huaj” që kritikët thonë se ka ngjashmëri me një legjislacion të tillë në Rusi.
Ligji ka hyrë tashmë në fuqi, por kundërshtarët janë zotuar t’i vazhdojnë protestat deri kur të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
David Katsarava është ndër protestuesit më të zëshëm anti-rusë në Gjeorgji. Pas protestës ndaj ligjit për agjentët e huaj më 14 maj, ai thotë se u rrah rëndë pesë herë ndërsa mbahej i ndaluar nga policia.
Për plagët e tij u desh ndërhyrje kirurgjikale. Zoti Katsarava u lirua më vonë dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë.
Ai i tha Zërit të Amerikës se protestat duhet të vazhdojnë dhe se do t’iu bashkohet sërish në ditët në vazhdim.
“Kemi tashmë një realitet ndryshe dhe duhet ta vazhdojmë luftën. Gjeorgjia ka ndryshuar dhe është orientuar drejt Rusisë. Duhet ta vazhdojmë luftën deri në fund, pasi nëse ndalemi, nëse frikësohemi dhe qëndrojmë në shtëpi, ky do të jetë fundi për Gjeorgjinë e lirë”, thotë zoti Katsarava.
Sipas ligjit të ri, organizatat që marrin mbi 20% financime të huaja, duhet të regjistrohen si “agjentë të huaj”. Kritikët e kanë krahasuar me një ligj të ngjashëm në Rusi.
Fridon Injia është ndër ligjvënësit gjeorgjianë që mbështetën miratimin e ligjit të ri.
“Nuk ka kuptim përse buxheti i shtetit duhet të jetë transparent, por financimet nga burime të huaja të mos jenë po ashtu transparente”, thotë ai.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se ligji nuk është në përputhje me aspiratat e Gjeorgjisë për anëtarësimin në BE. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj disa prej deputetëve gjeorgjianë. Ligji ka hyrë tashmë në fuqi. Por kundërshtarët thonë se kjo është vetëm beteja e parë.
“Kemi zgjedhje në tetor. Këto protesta do të vazhdojnë deri atëherë. Dhe objektivi ynë do të jetë si 30 vite më parë – të realizojmë ndryshim thelbësor. Dhe ky ndryshim thelbësor është rrëzimi i qeverisë, që është vegël e armikut të sovranitetit tonë dhe armikut të lirisë sonë brenda vendit”, thotë Giga Bokeria, kryetar i Partisë Gjeorgjia Evropiane.
Protestuesit thonë se nuk do të dorëzohen.
“Megjithëse ligji ka hyrë tashmë në fuqi, ne vazhdojmë të protestojmë. Pasi dëshirojmë që Evropa ta shohë përqasjen tonë dhe të na mbështesë”, thotë protestuesja Elene Ramishvili.
“Ekziston një shans i mirë që mund të përpiqen gjithashtu të nxjerrin rezultate false në zgjedhje dhe duhet të jemi gati në rast se kjo ndodh”, thotë protestuesi Giorgi Japiashvili.
Anketimet e bëra përpara miratimit të ligjit të ri për agjentët e huaj sugjerojnë se rreth 80% e gjeorgjianëve mbështesin anëtarësimin në BE.
Protestat që u shkaktuan fillimisht nga ligji i ri për “agjentët e huaj” janë transformuar në demonstrata kundër qeverisë. Pikëpyetja është nëse kjo do të shndërrohet në një forcë të mjaftueshme për të ndryshuar drejtimin e ardhshëm të vendit, kur gjeorgjianët t’u drejtohen kutive të votimit në tetor të këtij viti.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?