Tetë vjet më parë u la jashtë listës finale për Euro, Gjimshiti do të jetësoj ëndrrën që ia la në gjysmë Gianni De Biasi

19:00 | 12 Qershor 2024
KRG

Drilon Halili

Ëndrra për të përfaqësuar kombëtaren në një event gjigant siç është Kampionati Evropian e ka çdo lojtar që bart fanellën e shtetit të tij.

Tetë vjet më parë, kombëtarja e Shqipërisë arriti kualifikimin historik për një vend në Evropianin e Francës.

Dëshira për të qenë pjesë e asaj historie ka qenë e madhe për lojtarin me origjinë nga Bujanovci, Berat Gjimshiti.

Por këtë dëshirë dhe këtë ëndërr iu shua nga selektori i atëhershëm i Shqipërisë, Gianni De Biasi.

Ani pse pati paraqitje të shkëlqyera në eliminatore dhe shënoi një gol vendimtar në ndeshjen ndaj Armenisë që vulosi kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016, ai mbeti jashtë listës finale së bashku me Herolind Shalën, Amir Rrahmanin dhe Milot Rashicën.

Këta dy të fundin pasi mbetën jashtë Evropianit muaj më vonë zgjodhën të përfaqësojnë Kosovën si një kombëtare e re me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA, ndërsa ftesën e Kosovës e pranoi edhe Herolind Shala.

Ndërkohë Berati si opsion nuk e pati dorëzimin, dëshpërimin e ktheu në punë të palodhshme që një ditë të arrij të jetësoi ëndrrën që i mbeti në gjysmë.

Shqipëria po pësonte ulje e ngritje kohë pas kohe dhe gjeneratat shkonin duke u ndërruar, por Gjimshiti ishte aty dhe po i qëndronte ballë çdo stuhie.

Në janar të vitit 2023, në Shqipëri kishte zbarkuar një trajner brazilian, i cili shumë shpejtë me një kontingjent të lojtarëve nga gjitha trojet shqiptare, do të arrinte të rishkruante historinë të kualifikoj Shqipërinë në Euro 2024.

Me Berat Gjimshitin lider dhe kapiten të kombëtares, Shqipëria nisi ciklin kualifikues që pati synim të vetëm kualifikimin për në Gjermani.

Ndeshja e parë nuk nisi aq mirë, pasi Shqipëria u mposht nga Polonia 1-0, mirëpo fundi ishte i lumtur.

Shqipëria mbylli kampanjën kualifikuese si liderë e Grupit E, me 15 pikë para dy kombëtareve me emër të madh si Republika Çeke dhe Polonia, ndërsa në këtë grup ishin edhe Moldavia dhe Ishujt Faroe.

Gjimshiti në këtë kampanjë luajti në shtatë ndeshje tetë aq sa ishin gjithsej.

Në këtë kampanjë Shqipëria pësoi vetëm katër gola, falë të një super mbrojtje të udhëhequr nga lideri Gjimshiti, në partneritet me Ardian Ismailin.

Pas gjithë kësaj kampanje të suksesshme, selektori Sylvinho duhej të zgjidhte 26 futbollistët që do të përfaqësojnë kombin shqiptar në Gjermani.

Në këtë listë padyshim ishte e pamundur të mungoj emri i liderit, kapitenit dhe lojtarit që sakrifikoi shumëçka që të jetë pjesë e kombëtares, Berat Gjimshiti.

Ëndrra e tij e lënë në gjysmë po plotësohet. Lotët e dëshpërimit të vitit 2016, 31-vjeçarit iu kthyen këtë vit në lot gëzimi.

Ai këtë të shtunë me shumë gjasë do të debutojë në Kampionat Evropian, pasi që është pika kyçe e mbrojtjes dhe pritet të jetë në 11-shen e Sylvinhos ndaj Italisë.

Kujtojmë që ai në këtë kampionat hyn pas një sezone fantastike me klubin e tij ku ka qenë njëri ndër lojtarët kryesor në suksesin historik të Atalanta-s që fitoi Europa League.

Shqipëria ndodhet në grupin B, së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Berati është pjesë e Shqipërisë që nga viti 2015, me kombëtaren ka të zhvilluara 57 paraqitje dhe një gol./Arbresh.info/

 

Të ngjashme