Sveçla: 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës e shënojmë pa kufinj me Shqipërinë

15:24 | 12 Qershor 2024
K.B

Sot ka nisur regjimi i lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pikat e veçanta të kalimit kufitar.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla bashkë me ministrin e brendshëm shqiptar, Taulant Balla kanë vizituar Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sveçla ka thënë se mes dy vendeve tona nuk nuk do të të ketë kontrolle për qytetarët tanë por po punojmë që të kemi sisteme të avansuara teknologjike që luftojnë ilegalitetet ndërkufitare.

“Bashkë me homologun e mikun tim, Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë Taulant Balla sot vizituam pikë kalimin e përbashkët kufitar në Vërmicë. Me qëllimin e realizimit në mënyrën më të mirë të mundshme të marrëveshjes për heqjen e kontrolleve kufitare të qytetarëve të dy vendeve tona, nga sot do të aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar për ta. Mes dy vendeve tona nuk do të ketë kontrolle për qytetarët tanë por po punojmë që të kemi sisteme të avansuara teknologjike që luftojnë ilegalitetet ndërkufitare”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka thënë se vazhdojmë me qëllimet më të mira të përafrimit të vendeve tona dhe qytetarëve tanë, ashtu siç na njeh historia.

“Në shënim të përvjetorit të çlirimit të vendit tonë, janë shënjuar edhe 20 vendkalimet e veçanta për banorët e brezit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilat do të mundësohet lëvizja e lirë mes banorëve të atyre zonave. Vazhdojmë, me qëllimet më të mira të përafrimit të vendeve tona dhe qytetarëve tanë, ashtu siç na njeh historia”, ka shkruar ministri i brendshëm kosovar./Arbresh.info/

Të ngjashme