Vetëm 23 mijë biznese, të fiskalizuara

08:27 | 11 Janar 2016
Arbresh.info

Avdullah Hoti, ministër i Financave, gjatë një interviste për gazetën “Zeri”, thotë se numri i përgjithshëm i bizneseve të fiskalizuara deri më tani arrin mbi 23 mijë. Ai premton se gjatë këtij viti do t’i rrisin aktivitetet në fiskalizimin e bizneseve

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, bën të ditur se deri më tani janë fiskalizuar 23,385 biznese, ndonëse vlerësohet se janë mbi 50 mijë biznese aktive në vend. Megjithatë, numri një i financave në Kosovë thotë se gjatë këtij viti do t’i rrisin aktivitetet në fiskalizimin e bizneseve. Gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, ministri Hoti ka folur edhe për rritjen prej 25% të asistencës sociale, rritjen e pensioneve, si dhe për milionat e ndara për investime kapitale. Sipas Hotit, MSA-ja e bën tregun e Kosovës pjesë të tregut evropian në një periudhë afatmesme.

Zëri: Si janë orientuar mjetet e buxhetit për vitin 2016?

Hoti: Kuvendi ka aprovuar Buxhetin për vitin 2016 në linjë të plotë me objektivat e Qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe stabilitet buxhetor dhe të harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me buxhetin e vitit 2016 është rritur për 25% asistenca sociale për rreth 27 mijë familje që janë në këtë skemë. Është rritur për 34% buxheti për skemat e pensioneve të financuara nga shteti përreth 40 mijë pensionistë kontributdhënës. Është ndarë buxhet i mjaftueshëm për kompensimin e rreth 80 mijë të punësuar në sektorin publik për gjithë vitin, që është një kosto prej 40 milionë eurosh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme