Autoritetet çeke dyshojnë se Rusia mund të jetë përgjegjëse për një tentim për t’ua vënë zjarrin autobusëve të transportit publik në Pragë javën e kaluar, tha të hënën kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.
Një i dyshuar, 26 vjeç, u arrestua të shtunën dhe ngarkohet me akuzën për terrorizëm në lidhje me sulmin e dështuar të së enjtes.
I dyshuari, i cili vjen nga Amerika Latine, mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor, tha shefi i policisë Martin Vondrasek.
“Ka dyshim se sulmi me gjasë u organizua dhe u financua nga Rusia”, tha Fiala.
Ai theksoi se sulmi i dështuar ishte mbase pjesë e luftës hibride të Rusisë kundër vendit të tij.
Fiala shtoi se ky tentim ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë “për ta minuar besimin e qytetarëve në shtetin tonë”.
Çekia është mbështetëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus, i cili nisi më 2022.
“Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i parë”, tha Fiala, duke përmendur një shpërthim të madh në një depo municioni që dyshohet se u shkaktua nga spiunët rusë.
Liderët çekë thanë më 2021 se kishin dëshmi që provonin pjesëmarrjen e dy agjentëve nga agjencia ushtarake e spiunazhit e Rusisë në shpërthimin e vitit 2014, ku u vranë dy njerëz.
Rusia e ka mohuar e ka gisht.
Pas sulmit të së enjtes me zjarrvënie, ministri i Brendshëm çek Vit Rakusan sugjeroi se sulme të ngjashme mund të planifikohen në vendet e tjera evropiane, por nuk pranoi të japë hollësi.
Policia e rriti sigurinë në kryeqytetin çek gjatë fundjavës, për shkak të këtij rasti që ndodhi në kohën kur po mbaheshin zgjedhjet për Parlamentin Evropian./rel
Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e P...
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...