Google ADS

Të Gjelbrit e Gjermanisë i frikësohen tentativave destabilizuese hibride ruse në Kosovë

13:33 | 7 Qershor 2024
R J

Grupi Parlamentar i Të Gjelbërve në Bundestagun gjerman ka kërkuar vazhdimin e kontributit të Bundeswehrit në KFOR.

Kjo pasi, sipas tyre, ka rrezik për një rritje të tentativave destabilizuese hibride të Rusisë në Kosovë.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të këtij grupi, thuhet se misioni i Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) ka dhënë një kontribut kyç për stabilizimin e Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht për sigurinë e të gjithë rajonit tash e 25 vjet, raporton Klankosova.tv.

Megjithatë, ata thonë se pavarësisht situatës relativisht stabile të sigurisë në Republikën e Kosovës, “ka pasur përplasje të dhunshme të përsëritura në zonën kufitare veriore me Serbinë që nga fundi i vitit 2022”.

“Përveç këtij potenciali për tension dhe konflikt, ekziston frika e rritjes së tentativave destabilizuese hibride ruse në vazhdën e luftës së agresionit rus kundër Ukrainës. Si një spirancë qendrore e stabilitetit, prania e KFOR-it është vendimtare për sigurinë e të gjithë rajonit. Nëpërmjet vendosjes së tyre në kuadër të KFOR-it, ushtarët gjermanë japin një kontribut të rëndësishëm për stabilizimin dhe ruajtjen e paqes në Kosovë. Prandaj ne mbështesim edhe një herë zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ndër të tjera, ky grup parlamentar ka kërkuar edhe integrimin euroatlantik të Kosovës dhe të vendeve tjera të rajonit.

“Në marrëveshjen e koalicionit, ne e kemi bërë tashmë të qartë, së bashku me SPD dhe FDP, se ne si grup parlamentar i Të Gjelbërve në Bundestag duam t’i kushtojmë më shumë vëmendje rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo përfshin një perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Përveç kësaj, shoqëria civile duhet të mbështetet dhe BE-ja duhet të tregojë besueshmëri në mbajtjen e premtimeve të dhëna nëse vendet ndërmarrin hapat e duhur të reformës”, thonë Të Gjelbrit e Gjermanisë.

Më tej vihet theksi edhe te marrëveshja bazike dhe aneksin zbatues të nismës franko-gjermane të dakorduara në fillim të vitit 2023, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

“Ky shihet si një hap qendror i ndërmjetëm në normalizimin e marrëdhënieve”, thonë Të Gjelbrit, teksa shtojnë se si BE-ja ashtu edhe NATO-ja janë të angazhuar fuqishëm në rajon për të forcuar sundimin e ligjit, për të promovuar stabilitetin dhe për të ruajtur paqen në fqinjësinë tonë juglindore. /Klankosova.tv

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme