Gjyqi ndaj rreshterit të ushtrisë amerikane, Gordon Black – i cili u arrestua në qytetin rus Vladivostok në maj – ka filluar të enjten, në një rast që mund t’i ndërlikojë edhe më shumë marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit.
Black u arrestua në fillim të majit dhe fillimisht u akuzua se i kishte plaçkitur 10.000 rubla [110 dollarë] nga e dashura e vet ruse, Aleksandra Vashchuk. Më vonë, ai u akuzua edhe se e kapi atë me forcë në qafë gjatë një grindjeje. Ajo e cilësoi këtë si kërcënim për jetën e saj.
Nëse shpallet fajtor, Black, 34 vjeç, mund të dënohet deri me shtatë vjet burgim.
Gjykata e Qarkut e Vladivostokut e nisi gjykimi ndaj tij më 6 qershor, ku u morën në pyetje Vashchuk dhe një dëshmitar.
Vashchuk i kërkoi gjykatës të mos e dërgojë Blackun në burg, duke thënë se ai ka nevojë për ndihmë psikiatrike.
“Ai është thjesht një njeri i palumtur. Ai nuk e meriton burgun. Ai meriton tretman, të cilin nuk ia ofroi vendi i vet, edhe pse e dinin për gjendjen e tij. Ky njeri ka nevojë për ndihmë. Po, ai e kreu një krim, por ai nuk bëri dicka aq të tmerrshme për t’u burgosur”, tha Vashchuk.
Seanca përfundoi me dëshminë e Vashchuk, ndërsa ajo e radhës do të mbahet më 17 qershor.
Autoritetet amerikane thanë më herët se Black ishte arrestuar në Rusi dhe se akuzohej për plaçkitje nga një grua. Black shërbente në ushtrinë amerikane në Korenë e Jugut dhe pritej të kthehej në Teksas, por zgjodhi të udhëtonte në Rusi, sipas zyrtarëve amerikanë.
Disa javë më vonë, autoritetet ruse thanë se një shtetas tjetër amerikan, i identifikuar si William Russell Nycum, u arrestua në fund të prillit nën akuzat për “huliganizëm” dhe alkool, në një rast të ndarë. Ai po mbahej në një qendër ndalimi në Moskë.
Arrestimi i tyre ka ngritur dyshime nëse autoritetet ruse po i ndalojnë amerikanët me qëllim për t’i përdorur për shkëmbim të burgosurish, në një kohë mosmarrëveshjesh së mëdha mes Moskës dhe Uashingtonit për luftën në Ukrainë dhe për çështje të tjera të sigurisë ndërkombëtare.
Ndalimi i Blackut dhe Nycumit e shton listën e zyrtarëve amerikanë që po mbahen në Rusi nën rrethana të ndryshme dhe po ndodh derisa tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit janë në nivelin më të lartë prej Luftës së Ftohtë.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, si dhe gazetari i The Wall Street Journal, Evan Gershkovich, të cilët Rusia i arrestoi për akuza, të cilat ata dhe punëdhënësit e tyre i hedhin poshtë si të nxitura politikisht.
Më 2020, amerikani Paul Whelan u shpall fajtor dhe u dënua me 16 vjet burgim në Rusi për akuzat për spiunazh. Ai dhe Qeveria amerikane i kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat kundër tij.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se rastet e Blackut dhe Nycumit nuk janë politike dhe asnjëri prej tyre nuk akuzohet për spiunazh.
Departamenti amerikan i Shtetit në shtator 2023 i paralajmëroi qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë në Rusi./rel
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?