Dechamps veçon eksperiencën e veteranit, kritika ndaj Theos

09:41 | 4 Qershor 2024
D.H

Franca ka filluar përgatitjet për Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.

“Gjelat” kërkojnë të rikthejnë këtë titull që u mungon kombit francez që nga viti 2000, shkruan Arbresh.info.

Në një intervistë për “Gazzeta Dello Sport”, trajneri Didier Dechamps foli rreth lojtarëve dhe gjendjes së tyre para kampionatit.

Strategu francez pati disa fjalë për dyshen e Milanit Maignan-Theo, për këtë të fundit madje u shpreh mjaft kritik.

“Maignan u lëndua nga episodi në ndeshjen ndaj Udinese. Faktori mendor mund të ketë pasoja fizike, por viti i kaluar ishte i jashtëzakonshëm dhe nuk mendoj se ka diçka për t’u shqetësuar. Theo Hernandez nuk e shoh me të njëjtin entuziazëm si në sezonin kur fitoi kampionatin”, tha fillimisht ai.

Tutje Dechamps u ndal te mesfushori i Juventusit, Adrien Rabiot.

“Rabiot e di që ndjehet mirë në Torino, por është i lirë dhe ka shumë mundësi zgjedhjeje. E ka ai vetë në dorë të ardhmen”, theksoi i pari i Francës.

Ai bëri një krahasim midis Thuram dhe Giroud, ku veçoi eksperiencën e golashënuesit më të mirë të Francës.

“Thuram pastaj vjen nga një sezon shumë pozitiv me Inter. Na ndihmon sepse mund të luaj në çdo pozicion në fazën ofensive, ka karakteristika të ndryshme nga Giroud. Besoj se Thuram mund të jetë pasuesi i Giroud. Për momentin Giroud është shumë i rëndësishëm me eksperiencën e tij dhe për më tepër luan Europianin e fundit”, deklaroi Didier Dechamps.

Franca ndodhet në grupin D, së bashku me Poloninë, Austrinë dhe Holandën./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme